Qeveria e re e Kosovës e ka riaktualizuar çështjen e privatizimit të Telekomit të Kosovës.

Në njërën nga pikat e Programit të Qeverisë që u miratua të premten, parashikohet edhe mundësia e privatizimit apo shitjes së aksioneve të ndërmarrjeve publike në Kosovë, përfshirë Telekomin.

“Në Telekomin e Kosovës duhet të konsiderohet privatizimi i pjesshëm me një strategji të qartë pas sanimit të gjendjes aktuale, por para privatizimit duhet të sanohen gjendja e rendë dhe përmirësohet performanca në mënyrë që të rritet atraktiviteti për investitorë strategjik dhe me renome në fushën e telekomunikacionit”, thuhet në programin e Qeverisë “Hoti“.

“Privatizimi/shitja e aksioneve në ndërmarrje publike do të ndodhë vetëm në momentet kur privatizimi/shitja e aksioneve si proces do të maksimizonte vlerën e ndërmarrjes dhe përfitimeve tjera që ndërlidhen me procesin. Për të gjallëruar operimet në disa ndërmarrje publike, në planin afatmesëm dhe afatgjatë, asetet apo pjesë të aseteve të disa ndërmarrjeve publike do të shiten apo do të privatizohen përmjet Ligjit për Investimeve Strategjike”, thuhet në njërën nga pikat tjera të programit qeverisës 2020-2023.