VMRO-DPMNE prej mbrëmë ka filluar punimet e Kongresit për zgjedhjen e liderit të partisë. Nga 544 delegatë janë të pranishëm 411. Për ditën e sotme të punimeve është paraparë fjalimi i liderit të dorëhequr Nikolla Gruevski i cili nga viti 2003 qëndron në krye të këtij subjekti që ishte në pushtet nga viti 2006 deri në vitin 2016.

Por mbrëmë nuk ishin pjesëmarrës në punime figurat e mirënjohura të kësaj partie, apo ish-ministrat më famoz të qeverisë së kaluar si dhe deputetë të rrethit të parë të kësaj partie si Antonio Milloshoski, Ilija Dimovski, Nikola Todorov, Nikolla Popovski, Zoran Stavrevski, Vlladimir Peshevski, Trajko Veljanovski, por edhe njëri nga kandidatët që kishte paralajmëruar kandidaturën Filip Petrovski. Ky grup para dy ditëve kishte kërkuar shtyrjen e Kongresit, por nisma e tyre nuk u pranua nga organet partiake.

Një pjesë e tyre edhe pse paralajmëroi kandidimin, nuk e bëri ate dhe se për postin e kryetarit tashmë kandidat i vetëm është Hristijan Mickoski, sekretari gjeneral i kësaj partie.

Në sallë mbrëmë kanë qenë të pranishëm Sasho Mijallkov, Mile Janakievski, Gordana Jankullovska. Mickovski pritet të marrë përkrahjen e shumicës në Kongres, ndërsa pas zgjedhjes së tij në punimet e ditës së sotme, ai do të ketë fjalim. (INA)