Shkup  – Groshë Kazakistani, domate Turqie, qumësht Bosnje, mish Brazili, patate Serbie, apo hudhra dhe gështenja Kine. Këto janë vetëm një pjesë e artikujve ushqimor që i konsumojnë në tryezat tona që nuk janë prodhime të prodhuesit vendor, por prodhime importi. Maqedonia, edhe pse deklarohet si shtet bujqësor, pak ka arritur të zëvendësojë importin e ushqimit me prodhim vendor. Statistika tregon se importojmë nga jashtë jo vetëm ushqimet që realisht nuk kemi kushte t’i prodhojmë në vend, siç janë bananet apo portokajtë, por si shtet bujqësor importojmë bile edhe mishin e pulës, viçit, qumësht, djathë dhe jogurt, sheqer dhe vaj për ngrënie, për të cilat realisht ka kushte që të prodhohen nga fermerët në vend.

 

Plane të centralizuara

Maqedonia vetëm në vitin 2014 ka importuar ushqim në vlerë prej 684 milionë dollarë, ndërsa ka importuar ushqim në vlerë prej 388 milionë dollarë. Kjo nënkupton se gjysma e ushqimit që konsumohet në vend, vjen prej jashtë. Për agronomët shkaku kryesor pse ushqehemi me ushqim të prodhuar jashtë, është prodhimi stihik, përgatitja e planeve për zhvillimin e bujqësisë në mënyrë të centralizuar dhe jo edhe me pjesëmarrjen e faktorëve relevant në teren, si dhe për shkak të faktit se bujqit pak prodhojnë pemë apo perime për industrinë përpunuese, ndërsa më shumë janë të orientuar të prodhojnë për shitje në treg, në vend për kapacitetet prodhuese.

“Ekzistojnë më shumë shkaqe të këtij disbalansi në importin dhe eksportin e ushqimit ku bile importojmë edhe gështenja prej Kinë, duke filluar nga fakti se bujqit tanë shumë pak apo aspak nuk preferojnë të planifikojnë prodhimtarinë e tyre bujqësore dhe të prodhojnë sipas kërkesave të tregut. Faktor tjetër që ndikon në mos-kënaqjen e tregut vendor, së paku me ato prodhime bujqësore, për të cilin kemi potencial që t’i prodhojmë në vend se t’i importojmë, është edhe inkuadrimi shumë i dobët i pushtetit lokal në përpilimin e strategjive të zhvillimit bujqësor, ku nevojitet një decentralizim më i madh për shkak se informacionet bazë për problemet si dhe mundësitë e zhvillimit të bujqësisë, mund t’i dijë vetëm pushteti lokal, andaj edhe planet për zinxhirin e prodhimit dhe analizat për zhvillimin e këtij sektori, duhet të bazohen në respektimin më të madh të bujqve në teren dhe vetëqeverisjeve lokale“, thotë eksperti i bujqësisë, Lulzim Fejzullahu.

Sipas tij, nevojitet edhe një përpunim më i madh i prodhimeve bujqësore me vlerë të shtuar, që do të arrijnë çmime më të mëdha në treg në vend se të shitet si lëndë të para, përmes zhvillimit më të madh të industrisë ushqimore vendore që duhet më shumë të absorbojë prodhimtarinë vendore. Të dhënat e fundit të disponueshme të importit, sipas llojeve të ndryshme të ushqimit, tregojnë se vetëm në vitin 2014, është importuar mish pule në vlerë prej 34 milionë dollarë ku me nga 8 dhe 7 milionë dollarë dominojnë Brazili dhe Gjermania. Është importuar edhe sheqer në vlerë prej 31 milionë dollarë, mish derri i ngrirë në vlerë prej 34 milionë dollarë, mish i freskët viçi prej 25 milionë dollarë, vaj për ngrënie prej afër 25 milionë dollarë, misër prej 24 milionë dollarë, miell prej drithi prej 14 milionë dollarë, djathë prej 13 milionë dollarë, qumësht dhe ajkë në vlerë prej afër 19 milionë dollarë, mish i ngrirë viçi prej 8.4 milionë dollarë, patate prej afër 11 milionë dollarë, groshë prej 2.8 milionë dollarë, jogurt prej 4.8 milionë dollarë.

Në ndërkohë, analizat tregojnë se problem për prodhimin më të madh të ushqimit nga resurset vendore është edhe fakti se një e treta e tokave punuese bujqësore janë të papërpunuara, parcelat janë të vogla dhe të shpërndara, andaj edhe prodhimi vendor i drithërave, mishit, vajit të lule diellit, qumështit dhe sheqerit që as përafërsisht nuk kënaq nevojat e popullatës. Një pjesë e ekspertëve thonë se krahas parcelave të vogla, fermerët në Maqedoni ballafaqohen edhe me mekanizimin e vjetër dhe vaditjen e rregullt të hapësirave bujqësore.

Problem tjetër që duhet të zgjidhet është edhe ndërtimi më i madh i rrugëve dhe infrastrukturës për nevojat e bujqve, hapja e qendrave grumbulluese, ku do të plasohen prodhimet bujqësore si dhe realizimi në praktikë i kontratave për çmimet minimale mbrojtëse grumbulluese për të gjithë prodhimtarinë bujqësore, nën të cilën nuk guxohet të nënçmohet dhe të shkojë huq mundi i fermerëve.

 

Potenciale ka

Ekspertët sugjerojnë shfrytëzimin më të madh të potencialit bujqësor që posedon Maqedonia, që do të zvogëlojnë importin e prodhimeve, si mishi i lopës dhe prodhimeve të tjera, ku ka rezerva me qëllim që të zëvendësohet prodhimi i eksportit me atë vendor, si dhe të rritet edhe më shumë prodhimi vendor për eksport. Potenciale ka, sidomos te mishi i lopës, pasi ka kullosa të mira që të fitohet mish cilësor me sistemin lopë-viç, ndërsa rezerva ka edhe te prodhimet e tjera. Ndryshe, ekonomistët vlerësojnë se asnjë vend në botë nuk kënaq në tërësi nevojat e tij për ushqim nga prodhimtaria vendore për shkak se nuk kanë kushte të njëjta për prodhimtarinë e të gjithë prodhimeve bujqësore. Një gjë e tillë nuk është as nuk shpaguhet në aspektin ekonomik për shkak të harxhimeve të larta nëse nuk keni përparësi komparative, andaj shtetet preferojnë të rrisin prodhimtarinë vendore dhe eksportin në degët ku janë më konkurrues me çmim, sasi dhe cilësi.

Statistika më tej zbardh se importojmë edhe qumësht dhe përpunime qumështi, drithë apo misër, patate apo rrepë sheqeri si dhe lloje të ndryshme të mishit, që mund të kultivohet nga ana e fermerëve tanë. Të dhënat tregojnë se sipas shteteve kryesore importuese në vitin 2014, prej Serbisë para tre vitesh është importuar drithë në vlerë prej 17 milionë dollarë, miell  prej 12 milionë dollarë, rrepë sheqeri prej 15 milionë dollarë, misër prej 9 milionë dollarë, patate prej 6 milionë dollarë, djathë prej 4.3 milionë dollarë, qumësht dhe ajkë prej 1.5 milionë dollarë dhe jogurt prej 1.2 milionë dollarë. Prej Bullgarisë është importuar vaj për ngrënie prej 23 milionë dollarë. Prej Bosnje dhe Hercegovinës është regjistruar import i qumështit dhe ajkës në vlerë prej 8.6 milionë dollarë, rrepë sheqeri prej 4.3 milionë dollarë dhe  miell prej 1.3 milionë dollarë. Para tre vitesh prej Polonisë është importuar  mish viçi i freskët – 6.5 milionë dollarë, mish pule- 4.8 milionë dollarë dhe  mish viçi i ngrirë – 3 milionë dollarë. Prej Gjermanisë është importuar mish pule i ngrirë me vlerë prej 8.8 milionë dollarë, mish i ngrirë derri prej 5.5 milionë dollarë dhe  mish viçi i ngrirë prej 1.5 milionë dollarë.

Prej Austrisë mish viçi- 17 milionë dollarë, ndërsa prej Kroacisë 2.5 milionë dollarë import i vlefshëm i mishit të pulës dhe misrit – 1.7 milionë dollarë. Prej Sllovenisë pula të ngrira dhe mish tjetër pule prej 5.6 milionë dollarë, djathë -2.3 milionë dollarë, qumësht dhe ajkë prej 1.3 milionë dollarë. Prej Anglisë janë importuar mish pule i grirë në vlerë prej 1.8 milion dollarë. Prej Greqisë janë importuar pula të ngrira në vlerë prej 1.7 milionë dollarë. Prej Francës janë importuar mish pule -2.3 milionë dollarë, mish derri të ngrirë – 1.3 milionë dollarë, ndërsa prej Holandës mish pule i ngrirë – 2.6 milionë dollarë dhe  patate 1.5 milionë dollarë. Prej Çekisë qumësht dhe ajkë – 3 milionë dollarë, prej Spanjës mish i ngrirë derri prej 10 milionë dollarë dhe prej Hungarisë misër prej 3.9 milionë dollarë.

 

Mish nga Brazili dhe Gjermania

Të dhënat e fundit të disponueshme të importit, sipas llojeve të ndryshme të ushqimit, tregojnë se vetëm në vitin 2014, është importuar mish pule në vlerë prej 34 milionë dollarë ku me nga 8 dhe 7 milionë dollarë dominojnë Brazili dhe Gjermania. Është importuar edhe sheqer në vlerë prej 31 milionë dollarë, mish derri i ngrirë në vlerë prej 34 milionë dollarë, mish i freskët viçi prej 25 milionë dollarë, vaj për ngrënie prej afër 25 milionë dollarë, misër prej 24 milionë dollarë, miell prej drithi prej 14 milionë dollarë, djathë prej 13 milionë dollarë, qumësht dhe ajkë në vlerë prej afër 19 milionë dollarë, mish i ngrirë viçi prej 8.4 milionë dollarë, patate prej afër 11 milionë dollarë, groshë prej 2.8 milionë dollarë, jogurt prej 4.8 milionë dollarë.