Koreja e Veriut ka kërcënuar se Britania e Madhe dhe Australia do të “kenë një fund të mjerë” nëse përfshihen në stërvitjet ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut. Deklarata u bë nga Agjencia Qëndrore Koreane e Lajmeve.

Shteti komunist duket se tashmë po kthen vëmendjen nga aleatët amerikanë, pasi u tërhoq nga kërcënimet që bënte ndaj Shteteve të Bashkuara.

“Ne paralajmërojmë jo vetëm SHBA-në dhe grupin e kukullave, por edhe satelitët përfshirë Britaninë dhe Australinë që po përfitojnë nga manovrat e luftës kundër Veriut, se do të përballen me një fund të mjerë nëse i bashkohen stërvitjes”, thuhet në deklaratën e agjencisë koreano-veriore të lajmeve.

Disa ditë më parë, lideri suprem Kim Jong Un i quajti mercenarë ushtarët britanikë. Britania e Madhe dhe Australia po ndihmojnë 70 mijë trupat amerikane dhe koreano-jugore të përgatiten për çdo sulm bërthamor të Koresë së Veriut.