Shkruan: Bujar Plloshtani

Korrupsionin paraqet shkelje flagrante të rendit kushtetues, që do të thotë shpërdorimi me mjetet publike për hir të interesave të ngushta politike, kështu duke i goditur rëndë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe të qytetarit. Sfida për parandalimin dhe pengimin e korrupsionit është një çështje relativisht e shtrirë në fusha të ndryshme shoqërore dhe e shpërndarë njëkohësisht në institucione publike. Efektet e korrupsionit janë nga më të ndryshmet, pasi një prej pengesave më serioze është rrezikimi i integrimeve evro-atlantike dhe pengimi i funksionimit të vlerave demokratike të sistemit juridiko‐politik, dhe si pasojë e kësaj paraqiten rreziqet për zhvillimin normal të ekonomisë. Ndër masat e mundshme për parandalimin e korrupsionit mund të jenë pengimi sa më efikas i keqpërdimit me pushtetin nga ana e subjekteve politike, ngritja e vetëdijes kolektive të personave që kryejnë detyra publike, transparenca dhe përgjegjësia e pushtetit në lidhje me dhënien e tenderave dhe transparenca mbi investimet kapitale. Duhet të jetë shteti i së drejtës, ai që e mbron të drejtën dhe ligjin, dhe njëkohësisht të garantojë udhën e cilësuar të suksesit në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar, pavarësimin e organeve gjyqësore, depolitizimin e administratës shtetërore; prandaj që pushteti të mund të pengojë luftën ndaj kriminalitetit duhet të ketë shtrirje e zbatim sundimi i së drejtës. Korrupsioni paraqitet si dukuri kur personi zyrtar ka ndikim apo është i implikuar plotësisht me pushtetin, ose ndryshe me sektorin publik dhe abuzon me detyrën publike duke shpërdoruar me mjetet publike. Kjo dukuri e shëmtuar vret në mënyrë të tërthortë aparatin e shtetit, duke mos e lejuar të zhvillohet normalisht drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe stabile. Korrupsioni është mjeti kyç që ekonominë dhe tregun e vendit e dëmton në mënyrë të tërthortë. Kjo dukuri e kundërligjshme paraqitet ose realizohet nga persona publik të pandërgjegjshëm, që veprojnë jashtë ligjit. Shoqëritë post-komuniste në përgjithësi, dhe shoqëritë e vendeve të Ballkanit në veçanti janë kryekëput të fiksuara me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Për rritjen dhe praninë e korrupsionit gjatë tranzicionit shpeshherë janë hasur në shkallën e gjerë të privatizimeve, në dhënien e tenderave, në dështimin e reformave të tregut e kështu me radhë. Ndërkohë, gazetaria investigative shihet si mjeti më efikas që kontribuon në parandalimin dhe kufizimin e nivelit të rritjes dhe përhapjes së korrupsionit, transparenca e pushtetit me dhënien e tenderave, ndërgjegjësimi i personave zyrtarë me detyrat publike. Ajo që është mjaft e rëndësishme për shoqëritë moderne duhet të luftojnë dhe ta parandalojnë nivelin e korrupsionit në tërësi, pasi ajo dëmton ekonominë dhe shkakton pasoja negative. Kjo demokraci e brishtë hedh pikëpamjen e mundshme se shtetet që zgjedhin si parakusht “demokratizimin” e institucioneve, konkretisht sjellin shpesh paqartësi të shumta tek qytetarët dhe ndërkombëtarët, pasi në të shumtën e rasteve zyrtarët e lartë të partive politike nuk i deshifrojnë dhe as i shpalosin shpenzimet reale gjatë fushatave zgjedhore, por gjithnjë i fshehin paratë e shpenzuara apo i shfaqin shpenzimet e tyre me shifra joreale. Korrupsioni është përgjegjëse e defiçitit, pasi shpërdorimi me detyrën zyrtare sjellin këto paqartësi brenda shtetit, duke e dëmtuar ekonominë dhe reformat e vendit. Komisioni shtetëror për anti-korrupsion duhet të funksionojë i pavarur nga organet shtetërore, dhe, ndërkohë do të ishte e udhës që të kryejë vëzhgimin e zyrtarëve të lartë shtetëror në rast të implikimit të tyre me korrupsion, duke i ndjekur rekomandimet për parandalimin e saj në shkallë vendi. Sidomos, përgjatë kësaj edhe pushteti duhet të angazhohet për luftimin, reduktimin dhe parandalimin e korrupsionit në shkallë institucionale e më gjerë. Si zakonisht në vendet me demokraci të brishtë korrupsioni është gjithnjë e më shumë prezent dhe në rritje e sipër, pasi politikat dominuese të pushtetit nuk e kanë si pikë prioritare parandalimin e korrupsionit, pasi vetë personat publik që menaxhojnë me institucionet në njëfarë mënyre duket se janë të implikuar në këtë dukuri të kundërligjshme përmes tenderimit, nepotizmit, mitos e me radhë. Në sistemet demokratike që specifikohen nga shteti i së drejtës, institucionet konsiderohen si transparente dhe të përgjegjshme në kryerjen e veprimtarive publike, dhe ndërkohë kujdesen për mbrojtjen e ekonomisë nga konkurrenca e jashtëligjshme me anë të mekanizmave juridiko-fiskal. Ndërkaq, Komisioni shtetëror për pengimin e korrupsionit është mekanizmi i vetëm që angazhohet në mënyrë transparente dhe ligjore në pengimin e korrupsionit nga subjektet e ndryshme politike dhe personave zyrtarë që kryejnë veprimtari me interes të lartë publik. Ndryshimet në Ligjin për pengimin e korrupsionit veçmas parashikojnë përgjegjësi dhe detyrim ndaj personave zyrtarë që kryejnë autorizime publike, që nga momenti i emërimit të tyre në pozita të larta shtetërore, më së voni në një afat prej 30 ditëve, përmes plotësimit të një fletankete ta bëjnë të ditur pronën private dhe pronën e anëtarëve të familjes para Komisionit shtetëror për pengimin e korrupsionit dhe Drejtorisë për të ardhura publike. Mirëpo, duke u bazuar nga kjo mund të kuptohet nga përvoja dhe realiteti politik, se në të shumtën e rasteve politika ruan ndikim ndaj këtij Komisioni, që do të thotë se puna e këtij Komisioni më së shpeshti varet nga politika, sesa nga sundimi i së drejtës. Pra, korrupsioni është forma më e keqe e mundshme që e vret në mënyrë të heshtur demokracinë. Ndryshe, opinioni i gjerë mendon se institucioni për anti-korrupsion dhe gazetaria investigative e perceptojnë demokracinë e vendeve me ekonomi të brishtë si më të korruptuar, krahasuar me vendet e zhvilluara të botës.

©fol.mk