Kosova pësoi një tjetër disfatë në planin diplomatik dhe të njohjes ndërkombëtare, pasi rezoluta e Asamblesë së Këshillit të Europës për Kosovën, është miratuar pasditen e së enjtes së bashku me katër amendamente të propozuara nga Serbia

Beogradi paraqiti një ditë më parë në Komision amendamente e veta në lidhje me veçimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi për bashkësinë e komunave serbe, për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, edhe pse Kosova nuk u bë anëtare e UNESCO-s dhe për kalimin e disa kompetencave tek UNMIK në marrëdhënie me organizma të tilla si Interpol dhe Europol.

Këto amendamente u miratuan mëngjesin e së enjtes në Komision e më pas u paraqitën zyrtarisht si rezolutë nga Komisioni. Përfaqësuesit e Shqipërisë, që kanë të drejtë vote, të ndihmuar nga përfaqësuesi i Suedisë, propozuan a amendamente që eliminonin kërkesat e paraqitura nga Serbia. Por fatkeqësisht, të gjitha amendamente janë rrëzuar. Amendimi që rikthente disa nga standardet e para pavarësisë në lidhje me marrëdhëniet me Europol dhe Interpol, u rrëzua për vetëm një votë.

Kryetari i delegacionit suedez, social-demokrati Jonas Gunnarson, mbështeti shumë fort amendamentet e përgatitura nga përfaqësuesit shqiptare, deputetët Valentina Leskaj, Petrit Vasili, Namik Dokle dhe Oerd Bylykbashi, por në fund përfaqësuesit serbë e fituan betejën.

Ndërkohë, në sallë mungoi edhe përfaqësuesja shqiptare nga Maqedonia, Ermira Mehmeti.

Disa vende si Britania, Turqia, Hungaria dhe Suedia dhanë mbështetje maksimale, por ndryshimi nuk është bërë i mundur. Edhe vetë hartuesi i rezolutës për Kosovën reporteri spanjoll Augustin Conde, mungoi gjatë diskutimit në Komision, por edhe gjatë seancës. Në përfundim raporti është miratuar me 112 vota./Top Channel