Të dielën në Ohër, mbahet takimi i udhëheqësve të vendeve të Ballkanit Perëndimorë, një takim që është vazhdimësi e takimit të 10 tetorit që u mbajt në Novi Sad për krijimin e një “Shengeni” ballkanik ndërmjet Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut.

Në takimin e së dielës janë ftuar edhe Kosova, Mali i Zi e Bosnja e Hercegovina.

Por, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të shtunën se ka refuzuar pjesëmarrjen për disa arsye: “së pari, Kosova, qëllimshëm ishte anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale. Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale.Dhe, së treti, kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”.