Kosova sot feston 9-vjetorin e pavarësisë së saj. Mëngjesin e sotëm në varrin e ish presidentit Ibrahim Rrugova dhe në kompleksin memorial të Jasharajve në Prekaz janë bërë homazhe, ku pos autoriteteve kosovare i pranishëm ka qenë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.

 Sot kemi një ditë të madhe, shënimin e 9 vjetorit të pavarësisë në të cilën kujtojmë të gjithë ata të cilët u flijuan për shtetin e Kosovës, u flijuan për liri , para së gjithash familjes Jashari sot ia bëjmë nderimet këtu, një familje e cila u sakrifikua për shtetin e Kosovës dhe që sot po festojmë pavarësinë e saj, gjithmonë do të kemi parasysh ithtarët e lirisë – tha kryeministër i Kosovës Isa Mustafa.

Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit në Kosovë nuk vërehet atmosferë e theksuar festive. Pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës janë shprehur të zhgënjyer nga autoritetet e vendit

 “Prej pavarësisë deri më tani nuk po mundem me thënë që është bërë ndonjë ndryshua, unë po mendoj kështu. Do të thotë veç edhe ma keq është bërë, nuk kam parë diçka më mirë. Është papunësi shumë e madhe… kështu nuk ekziston askund në botë ma papunësi se në Kosovë”.

“Po ka dallime, ka dallime për së miri do të thotë në rregull është, ka dallime. Shtet i ri në formim e sipër, ushtria po presim me u formua dhe gjithçka në rregull – u shprehën disa qytetarë të intervistuar.

Në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë janë ekspozuar qindra fotografi me pamje nga lufta në Kosovë, të Cilat paraqesin vuajtjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. Që nga 17 shkurti 2008 kur është shpallur pavarësia, Kosova është njohur nga 113 vende të botës dhe është anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare, por jo në OKB.