Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë vazhduan edhe të martën t’u bëjnë thirrje partive politike në parlament për të ratifikuar marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi, si një hap për t’i hapur rrugën Kosovës drejt integrimeve evropiane.

Parlamenti i Kosovës pritet të mblidhet të mërkurën, pasi që dy herë me radhë gjatë javës së kaluar dështoi të arrijë pajtim për të miratuar marrëveshjen me Malin e Zi. Tashmë pajtimi është arritur ndërmjet partive në pushtet dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë për të ratifikuar marrëveshjen për shënimin e kufirit, por ende mbetet i paqartë sigurimi i votave pasi që të gjitha këto parti nuk sigurojnë dot dy të tretat e votave në parlamentin 120 vendesh.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kundërshtojë marrëveshjen, ndërsa Lista Serbe ka bojkotuar edhe diskutimet rreth saj.

Kryetari i parlamentit të Kosovës Kadri Veseli u takua sot me ambasadorin amerikan në Prishtinë Greg Delawie për të diskutuar këtë cështje dhe sipas një komunikate të dy kanë theksuar se është koha e fundit që Kosova ta ratifikojë marrëveshjen, për t’i zënë afatet e nevojshme për heqjen e vizave gjatë këtij viti.

Edhe shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova pas takimit me kryetarin e parlamentit u bëri thirrje deputetëve që të mendojnë për të ardhmen e qytetarëve dhe të rinjve të Kosovës. Ajo tha se gjatë javëve të fundit ka pasur zhvillime të rëndësishme të cilat i kanë hapur rrugë ratifikimit të marrëveshjes.

“Dua të them se jemi pothuajse aty, prandaj është shumë e rëndësishme që ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit të ndodhë nesër dhe kjo duhet të ndodhë patjetër. Ratifikimi i marrëveshjes do të jetë hap shumë i rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave për Kosovën”, tha ajo duke nënvizuar se partitë politike nuk duhet të lëshojnë këtë rast.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli shfaqi bindjen se marrëveshja do të ratifikohet.

“Kosova dhe qytetarët e vet kanë nevojë për një lajm të mirë dhe presin një të tillë dhe ne do ta sjellim këtë lajm të mirë nesër, jam i sigurt duke e votuar marrëveshjen për shënimin e kufirit. Ratifikimi i marrëveshjes ditën e nesërme shënon forcimin e sovranitetit të shtetit tonë të pavarur dhe sovran, jep sinjal për perspektivën tonë perëndimore drejt BE-së dhe në të njëjtën kohë presim nga vendet e Bashkimit Evropian që të na ndihmojnë në rrugëtimin tonë drejt kësaj familjeje të madhe”, tha zoti Veseli.

Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, kishte ndarë skenën politike në vend për gati tre vjet. Seanca e jashëtzakonshme për votimin e saj mbahet të mërkruën pak orë para vizitës së presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i cili po viziton të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimorë, në dritën e strategjisë së re për zgjerim të Bashkimit Evropian.

Mos ratifikimi i kësaj marrëveshjeje që është kusht për liberalizimin e vizave ka bërë që qytetarët e Kosovës ende të presin në radhë për viza para ambasadave evropiane ndërsa është edhe një nga kushtet që Kosova duhet përmbushë drejt rrugës së saj drejt integrimeve evropiane.