Gjatë samitit të vendeve të Ballkanit Perindimor që po mbahet këto ditë në Londër, në një intervistë të dhënë për Rojters, kryeministri i vendit Zoran Zaev tha se Maqedonia ofron katër opsione për emrin e ri të Maqedonisë. Propozimet konkrete sipas kryeministrit janë: Republika Veriore e Maqedonisë, Republika e Epërme e Maqedonisë, Republika e Maqedonisë së Vardarit, Republika e Maqedonisë (Shkup).

Maqedonia shpreson që kontesti do të zgjidhet në kohë për të marrë rekomandim për negociata për fillimin e bisedimeve me BE-në në qershor dhe vërtetim të ftesës për anëtarësimon në NATO në korrik të këtij viti, shkruan më tej Rojters.

I pyetur nëse sipas tij Greqia do të pëlqejë ndonjë nga këto opsione, ai u përgjigj se ‘po, ata kanë në tavolinë emra që preferojnë më shumë dhe emra që preferojnë më pak’ . Ai shtoi se problem për t’u diskutuar mbetet nëse Greqia insiston edhe për ndryshimin e Kushtetutës aktuale të Maqedonisë.