Athinë, 2 janar – Në një intervistë për mediat vendase, ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Koxias ka përsëritur se Greqia do të bllokojë integrimin euroatlantik të Maqedonisë për sa kohë që kjo nuk pranon ndryshimin e emrit kushtetues. 

Koxias konsideron se çështja e emrit ka rëndësi parësore në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe se pa u zgjidhur kjo çështje është e kotë të pritet integrim i Maqedonisë në NATO dhe BE.

– Masat e marra për përmirësimin e marrëdhënieve janë të mirëseardhura por duhet të gjendet zgjidhje definitive – mësohet të ketë thënë Koxias, transmeton Zhurnal.

Në vitin 2008, në Samitin e Bukureshtit Maqedonia nuk arriti të anëtarësohet në NATO sëbashku me Shqipërinë dhe Kroacinë, dhe që atëherë për shkak të kundërshtimit të Greqisë nuk ka asnjë thirrje për anëtarësim.