Një ngjarje e rëndë me protagonist një kosovar 48-vjeçar ka tronditur Gjermaninë. Një burrë nga Ferizaj mbrëmjen e së shtunës ka vrarë kunatën dhe ka plagosur rëndë vëllain e tij. Dëshmitarë të ngjarjes tragjike ishin fëmijët. Tashmë është zbardhur edhe dëshmia e fqinjve, raporton gazeta Express.

Raportohet se 48-vjeçari nga Kosova i mori jetën kunatës 33-vjeçare, ndërsa plagosi rëndë vëllain e tij 38-vjeçar në Lohne të Bielefeldit.

Mediat gjermane raportojnë se i dyshuari kishte shkuar tek banesa, ku kishte jetuar ai me parë me familjen e tij. Aty kishte takuar edhe vëllain me gruan e tij që kishte shkuar për vizitë tek ish-bashkëshortja e autorit.

48-vjeçari kishte tentuar të hyjë brenda banesës, por nuk ishte lejuar nga i vëllai. Më pas ai u kthye dhe mori armën, me të cilën edhe bëri krimin. Dëshmitarë të ngjarjes së rëndë ishin disa fëmijë të moshës nga 13 deri në 18 vjeç.

Një fqinj i familjes që jetonte një kat më poshtë, kishte dalë për të parë se ç’po ndodhte. Ai pa fëmijët që ishin të tronditur dhe që bërtisnin. Ai i mori nën mbrojtje fëmijët, duke thirrur policinë dhe ambulancën.

Aktualisht fëmijët po marrin trajtime psikologjike si pasojë e tronditjes nga ngjarja. 48-vjeçari nga Kosova, i cili mbeti edhe vetë i plagosur në rrethana të paqarta, u arrestua nga policia.

Ndërkohë, policia gjermane ka zbardhur edhe dëshminë e fqinjit, që ka marrë në mbrojtje fëmijët.

“Dëgjova dy të shtëna dhe gati sa nuk rashë nga karrigia. Fëmijët bërtisnin me të madhe. Në atë moment unë thjesht reagova dhe thirra ekipet e shpëtimit. Kur zbrita në korridor, fëmijët erdhën duke bërtitur drejt meje. Njeriu me origjinë shqiptare u çmend plotësisht. Fëmijët duhet ta kenë ndalur atë dhe e kanë hedhur armën në një livadh para shtëpisë”, ka thënë ai.