Tensionet në Maqedoni dhe Shqipëri shikohen me shqetësim nga Italia. Për të qetësuar situatën, kreu i diplomacisë së jashtme, Anxhelino Alfano, ka thërritur homologët e tij të Ballkanit Perëndimor në një takim.

Me 24 maj në Romë do të zhvillohet një mbledhje e ministrave të jashtëm të Ballkanit perëndimor përpara samitit të Triestes. Kjo është bërë e ditur nga ministri i Jashtëm Italian, Anxhelino Alfano, gjatë një seance dëgjimore në komisionin e jashtëm të Dhomës së Senatit me fokus në fushën e sigurisë ndërkombëtare. “Mbledhja do të kontribuojë në uljen e tensioneve rajonale në sajë të një diskutimi të drejtëpërdrejtë mes palëve. Në muajt e fundit dhe në ditët e fundit, sidomos pas asaj që ndodhi në Maqedoni dhe me kohëzgjatjen e krizës politike në Shqipëri, ka pasur përkeqësim serioz të marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor”, shprehet kreu i diplomacisë italiane.
Sipas ministrit Alfano, në Ballkanin Perëndimor po regjistrohet një ripërtëritje e retorikës nacionaliste dhe euroskepticizmit, me një ndikim negativ jo vetëm në dinamikën e brendshme, por sidomos në marrëdhëniet ndërshtetërore në rajon.
“Në këtë fazë është e nevojshme të mbahet hapur prospektiva e integrimit europian të vendeve të Ballkanit perëndimor, duke i ndihmuar në rrugëtimin e tyre të integrimit rajonal”, theksoi Alfano. Sipas ministrit Italian kjo do të jetë temë kryesore e samitit të Ballkanit Perëndimor që zhvillohet me 12 korrik në Romë në sajë të procesit të Berlinit.