Bujqit në Maqedoni ankohen se nuk kanë marrë subvencionet për vitin 2016 madje edhe për një pjesë të vitit 2015, mjete këto që u garantohen me ligj.

Për këtë arsye një pjesë e madhe e sipërfaqeve, thonë ata, këtë vit do t’i lënë pa i mbjellë fare. Edhe blegtorët thonë se janë të detyruar të zvogëlojnë numrin e bagëtisë sepse mungesa e mjeteve financiare u shkakton probleme sa i përket sigurimit të ushqimit për kafshët.

Ministria e Bujqësisë së Maqedonisë thotë, ndërkaq, se vakuumi juridik i mosformimit të Qeverisë, ka hapur shumë telashe sa i përket pagesës së subvencioneve.

Ministri i Bujqësisë në Maqedoni, Mihaill Cvetkov tha të hënën se janë duke u bërë përpjekje për të tejkaluar pengesat juridike që kanë të bëjnë me bllokimin e pagesave të subvencioneve. Cvetkov tha se në buxhetin e shtetit ka para për pagesë të subvencioneve, por tani për tani procesin e ka bllokuar Kodi Zgjedhor dhe Ligji për bujqësi dhe për zhvillim rural.

“Jemi të angazhuar me të gjitha kapacitet tona që të tejkalojmë këtë problem juridik. Ne si dikaster jemi duke përgatitur dhe një ligj të ri i cili pritet të eliminojë të gjitha pengesat juridike për ndarjen në kohë të mjeteve financiare për sektorin e bujqësisë”, tha ministri Cvetkoski për rel,  pa definuar se kur do të mund të marrin paratë bujqit në Maqedoni. Mitko Andreevski, kopshtar nga rrethi i Shkupit, thotë se mungesa e subvencioneve e ka detyruar të zvogëlojë hapësirat e mbjella me domate, përderisa njërën nga tre serat që i ka ngritur e ka lënë të zbrazët.

Ekspertët e ekonomisë thonë se kriza politike po i shkakton një goditje të fuqishme sektorit më të rëndësishëm në Maqedoni, bujqësisë në përgjithësi.