Rifillimi me punë i Kuvendit dhe tërheqja e pjesshme e faljeve nga presidenti Ivanov nuk garantojnë tejkalim të krizës politike. Kështu shprehen analistët politik Jove Kekenovski dhe Zhidas Daskallovski. Sipas tyre, kriza politike patjetër duhet të përfundojë, kurse që të arrihet një gjë e tillë komuniteti ndërkombëtar duhet të kyçet më fuqishëm në këtë proces, pasi politikanët vendor kanë humbur kredibilitetin e tyre.

“Në një situatë të tillë kur përsëri jemi kthyer në fillim, mendoj se më në fund komuniteti ndërkombëtar si garantuese e gjithë kësaj situate patjetër duhet të mbaj llogari dhe të kuptojë se këta katër lider politik kanë humbur kredibilitetin e tyre. Për këtë arsye themi se patjetër duhet të kyçen edhe faktor tjerë dhe nga këto bisedime patjetër duhet të dal një qeveri ekspertësh e cila në periudhë prej 5-6 muaj do të tentojë të përgatisë vendin për zgjedhje”, tha Jove Kekenovski, analist politik.

“Është e nevojshme që të arrihet një kompromis mes elitave politike, të merren vesh mes vete edhe atë me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar dhe të dërguarve të posaçëm dhe një gjë e tillë më së miri do të ishte të ndodh tani gjatë periudhës së verës. Duhet të arrihet një marrëveshje se kur do të organizoheshin zgjedhjet e radhës, edhe pse sa më shpejt të mbahen aq më mirë do të jetë. Mendojë se tani vetëdija tek qytetarët dhe politikanët është në një nivel më të lartë, pasi kjo krizë duhet patjetër të përfundojë, është bërë shumë serioze, kemi dhe tjera probleme”, u shpreh Zhidas Daskallovski, analist politik.

Qytetarët e anketuar nga ALSAT-M akuzojnë politikanët për krizën politike që ka përfshirë vendin. Sipas tyre vetëm ata që na ka futur në krizë, mund të na nxjerrin.

“Këta të mëdhenjtë që janë, muhabet kanë shumë, kurse punë nuk ka fare. Politikanët vetëm na gënjejnë, do të bëjmë këtë, do të bëjmë atë dhe asgjë nuk bëjnë”.

“Vetëm partitë politike mund të na nxjerrin nga kriza. VMRO dhe BDI, ato të dyja vendosin.”

“Kush janë më të mëdhenjtë këtu, 20 persona! Populli gënjehet, na thonë bëhet kjo apo ajo. Nëse nuk vjen një garniturë e re, studentët duhet të ngrihen në këmbë”.

“Nga kriza politike mund të dalim vetëm përmes kuptimit të ndërsjellë, të mbetemi ashtu siç jemi”.

Kriza politike e kaploi Maqedoninë pas nisjes së publikimit të të ashtuquajturave ‘bomba’ nga opozita, ndërkohë u thellua edhe më tepër me vendimin e presidentit Ivanov për faljen e 56 politikanëve të dyshuar nga Prokuroria Speciale./Alsat-M/