Kroacia pritet të tërheqë rezervimet që kishte në lidhje me hapjen e kapitullit 26, që ka të bëjë me Edukimin dhe Kulturën, në procesin e bisedimeve për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Kjo ka ardhur pasi, siç është deklaruar nga ministri i Jashtëm dhe Çështjeve Evropiane, Davor Ivo Stier, është arritur një zgjidhje mbi librat shkollorë për minoritetin kroat që jeton në Serbi.
Lajmi erdhi përmes një konference të jashtëzakonshme për shtyp gjatë kësaj të premteje.
Ministri serb i Edukimit nënshkroi gjatë së premtes një aneks në marrëveshjen me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Kroat (CNC) dhe autoritetit për tekstet shkollore, që mbikëqyr dhe rregullon çështjet e arsimit. Sipas këtij aneksi, tekstet shkollore jo vetëm që do të përkthehen nga serbishtja në gjuhën kroate dhe nga gërmat cirilike në ato latine, por do të mbajnë edhe shtojca speciale me përmbajtje enkas për minoritetin kroat, tha Stier.
Ministri kroat mirëpriti vendimin dhe tha se kjo ishte një ditë e madhe për minoritetin kroat në Serbi, sipas asaj që raporton agjencia e lajmeve “Hina”.
Kroacia bëri publike rezervat e saj mbi hapjen e këtij kapitulli të negociatave me Serbinë dhe, gjatë një konference ndërqeveritare në Bruksel më 13 dhjetor, tha se nuk ishte e gatshme t’i tërhiqte ato sepse, siç kishte thënë kryeministri Andrej Plenkoviç, Serbia nuk kishte përmbushur të gjitha detyrimet kundrejt minoritetit kroat, tch.
Zyrtarët serbë kritikuan ashpër autoritetet kroate pak kohë më parë, ndërkohë që zyrtarët në Zagreb u shprehën se ishte tërësisht e panevojshme që të dramatizohej kjo çështje, pasi çelësat për zgjidhjen e saj ishin në duart e Serbisë.