“Kompanitë energjetike janë përgatitur për periudhën e dimrit, prodhimi i energjisë elektrike është stabil, dërgesa është e sigurt, ndërsa kompanitë janë pajisur përkatësisht në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë”.

Ky është përfundimi i mbledhjes koordinuese, që u mbajt me iniciativë të Komisionit Rregullator të Energjetikës dhe të Shërbimeve të Ujit (KRRE) me kompanitë energjetike CEMV, MEPSO dhe EVN.

Kryetari i KRRE-së Marko Bislimovski, tha se gjatë muajve të kaluar dhe në kohën e pandemisë dhe gjendjes së jashtëzakonshme, kompanitë energjetike kanë funksionuar në mënyrë të koordinuar dhe të sinkronizuar, me çka sistemi energjetik mbeti stabil.

“Kjo përvojë e fituar është përgatitje për periudhën e dimrit që vjen. Në mbledhje, CEMV ka informuar se prodhimi i energjisë elektrike është stabil. EVN e garanton sigurinë e dërgesës së energjisë elektrike dhe riparimit të shpejtë të defekteve. Njëashtu dua t’i informoj qytetarët se Furnizuesi Universal, respektivisht EVN Home nuk guxon t’i shkëpusë nga sistemi i energjisë elektrike konsumatorët e ndjeshëm në muajt dhjetor, janar dhe shkurt për shkak të faturave të papaguara të energjisë elektrike të dorëzuar. Konsumatori i ndjeshëm ka mundësi për pagesë të shtyrë ose pagesë të minimum gjashtë kësteve të barabarta nëse ka borxh të vonuar. Gjithashtu, konsumatori i ndjeshëm, i cili është i regjistruar në evidencën e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, ka të drejtë, që nga EVN Home SHPK Shkup të kërkojë lirim nga detyrimi i pagesës së kompensimit për rikyçje, si dhe ti bëhet verifikim i jashtëzakonshëm pa pagesë i pajisjes matëse”.

“Dua ta informoj opinionin se në përputhje me nenin 197 paragrafi (3) i Ligjit të Energjetikës (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 96/18 dhe 96/19) të gjithë konsumatorët kanë të drejtë ankese dhe dëmshpërblimi për shkak të ndërprerjeve në dërgesën e enegjisë me cilësi më të dobët nga ajo që është përshkruar. Në Rregulloren e Përcaktimit të Dëmshpërblimit ka një pako masash për mbrojtje të kategorive të ndjeshme të konsumatorëve, gjatë së cilës është paraparë trajtim prioritar i kërkesave, të cilat i parashtrojnë konsumatorët e ndjeshëm për kompensim të dëmit të shkaktuar për shkak të tensionit joadekuat”, deklaroi Marko Bislimovski.