Kryebashkiaku i Selanikut, Janis Butaris të enjten vjen në Shkup në takim me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov në të cilin do të dakordohet bashkëpunim më i afërt midis dy qyteteve, publikon “Katimerini”.

Vizita e Butaris, thekson gazeta, vjen në kohën e optimizmit të rritur në Athinë për përmirësimin e marrëdhënieve të cilat u prishën prej kontestit shumëvjeçar për emrin, si dhe “pas dështimit të ish-kryeministrit nacionalist Nikolla Gruevski në zgjedhjet e fundit dhe formimit të Qeverisë së re e cila vlerësohet si më e hapur për bisedime”.

Butaris në Shkup do të takohet edhe me kryeministrin, Zoran Zaev, me presidentin Gjorge Ivanov dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, ndërsa është planifikuar takim edhe me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Në deklaratën për “Katimerini”, Butaris përgënjeshtron se vizita e tij lidhet me pritjet e Athinës për vazhdimin e bisedimeve për çështjen e emrit.

“Ne nuk merremi me Politikë të Jashtme. Po përpiqemi me diplomaci midis qyteteve t’i afrojmë qytetet e dy vendeve dhe bashkërisht të punojmë për zgjidhjen e disa problemeve të cilat i kemi si fqinj”, thotë Butaris.

Qëllimi i vizitës në Shkup, thotë, është të ndërtohen marrëdhënie më të mira të mundshme midis dy qyteteve.

Butaris nuk dëshiron ta komentojë kontestin për emrin para vizitës në Shkup, edhe pse, përkujton Katimerini, në të kaluarën është prononcuar se është për emër të përbërë si zgjidhje e mundshme.