Në Kosovë arriti për një vizitë dyditëshe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç. Ai u prit në një ceremoni të posacme derisa sonte dhe nesër pritet të takohet me udhëheqësit e institucioneve të vendit.

Vizita e kryeministrit malazez përkon edhe me dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por temë qendrore e vizits së tij pritet të jetë çështja e marrëveshjes për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike janë vënë në përpjekje për të arritur një marrëveshje me Malin e Zi për të tejkaluar situatën në të cilën është futur Kosova. Autoritetet vendase po synojnë që nëpërmjet një marrëveshjeje të korrigjojnë siç thuhet gabimet e bëra nga ish Komisioni për Shënimin e kufirit.

Marrëveshja e nënshkruar në fund të gushtit të vitit 2015 është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi dhe sipas zyrtarëve në Podgoricë ajo është e përfunduar dhe nuk mund të rinegociohet.

Marrëveshja nuk është ratifikuar nga Kosova për shkak të mospajtimeve që çuan edhe në skena të dhunshme në parlament dhe jashtë tij. Kundërshtarët e marrëveshjes pohojnë se Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.

Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi ndodhet në kryesi të parlamentit, në pritje të një pajtimi ndërmjet partive politike që janë thellësisht të ndara rreth kësaj çështjeje.

Mos ratifikimi i kësaj marrëveshjeje që është kusht për liberalizimin e vizave ka bërë që qytetarët e Kosovës ende të presin në radhë për viza para ambasadave evropiane.