Dhjetëra mijëra njerëz protestuan në rrugët e kryeqytetit rumun Bukuresht dhe në qytete të tjera të vendit kundër planeve të qeverisë për të liruar rreth 3 000 të burgosur.

Në Bukuresht, disa prej protestuesve kaluan kordonet policore dhe shkuan drejt ndërtesave qeveritare. Kryeministri rumun Sorin Grindeanu tha se amnistia do të lehtësojë peshën mbi burgjet e mbipopullura, por kjo nuk u duk si arsye e vlefshme nga publiku për të lënë të lirë kriminelët e dënuar.

Për më tepër, kundërshtarët e tij politikë dhe kritikët thonë se kryeministri po përpiqet të lirojë aleatët e tij që janë dënuar për korrupsion. Kundërshtarët e kësaj lëvizjeje kanë kërkuar që ajo të debatohet në Parlament, pasi kryeministri e mori vendimin përmes masave që shmangin  legjislativin, madje nuk kanë nevojë as për firmën e Presidentit Klaus Iohanis.

Mediat vendase raportojnë se mes emrave të atyre që do të liroheshin ishin edhe disa ish-zyrtarë dhe ish-gjykatës të dënuar për korrupsion. Protestat ishin të qeta dhe atyre ju bashkuan edhe politikanë si vetë Presidenti Iohanis, i cili tha se qytetarët kanë të drejtë që janë të indinjuar.

Sipas tij, është e papranueshmë që një kryeministër të ndryshojë ligjin sipas qejfit, në mënyrë që jo vetëm të lirojë zyrtarë të korruptuar, por gjithashtu të zhdukë befas çështjet hetimore për shumë të tjerë.