Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev sot është takuar me ambasadoren e Republikës së Turqisë në Republikën e Maqedonisë, Tülin Erkal Kara, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton kabineti i kryeministrit Zaev, në takim bashkarisht është përshëndetur miqësia mes Maqedonisë dhe Turqisë si dhe është shprehur vendosmëria për përmirësimin e bashkëpunimit në parime demokratike, plan ekonomik dhe në të gjitha fushat tjera në interes të qytetarëve të të dy vendeve.

“Qëllimi primar i Qeverisë është t’i avancojë marrëdhëniet me të gjitha shtetet, veçmas me vendet mike të Republikës së Maqedonisë. Qytetarët e Maqedonisë presin perspektiva evropiane dhe Qeveria që e drejtoj është e gatshme t’i marrë parasysh të gjitha përvojat pozitive në rrugën drejt integrimeve”, tha kryeministri Zaev.

Mes tjerash, kryeministri Zaev dhe ambasadorja Kara biseduan për mundësinë e tejkalimit të barrierave ekzistuese administrative me të cilat përballen investitorët në Maqedoni si dhe për interesimin e investitorëve turq për të investuar në Maqedoni.

“Nga ana tjetër ambasadorja turke riafirmoi mbështetjen e Republikës së Turqisë për integrimin e Republikës së Maqedonisë në NATO”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.