Me rastin e vizitës së sotme në Shkup, kryeministrja britanike Tereza Mej përmes një kolumne të botuar ekskluzivisht në sdk.mk, i është drejtuar opinionit në Maqedoni. Përmes kësaj kolumne, Mej shpreh mirënjohje për zhvillimet në Maqedoni në 18 muajt e fundit, kurse periudhën paraprake (kur gati 10 vite në pushtet ishin VMRO dhe BDI), e vlerëson si kohë kur Maqedonia ka qenë “shtet i robëruar”.
Si moment kthese ajo përmend zgjedhjet e fundit parlamentare, kur siç dihet votuesit shqiptarë i dhanë një goditje të fuqishme VMRO-së dhe BDI-së.

“Vetëm shikoni se çka ndodhi në këtë vend. Shumë vite rruga e reformave ishte e bllokuar për shkak të rënies në ‘shtet të robëruar”, kurse institucionet, duke përfshi edhe gjykatat, mediumet dhe administrata publike ishin nën ndikim të theksuar politik.

Megjithatë sot, 18 muaj pas zgjedhjeve parlamentare, shohim qeveri dhe parlament që janë të fokusuar në forcimin e demokracisë, sundimin e drejtësisë dhe ndërtimin e raporteve të mira me fqinjët”, ka shkruar kryeministrja Mej.

Kryeministrja britanike ka lavdëruar edhe vendosjen e Maqedonisë në anën e Britanisë pas dhe largimin e diplomatit rus, diçka që dukej e paparamendueshme në kohën e qeverisjes VMRO-BDI.

“Sot poashtu shohim një qeveri e cila është e gatshme të angazhohet globalisht. Kur në mars në rrugët e një qyteti britanik u përdor armë kimike ruse, Maqedonia nuk u hamend ta tregojë solidarizimin me Britaninë, të shprehet në mbrojtje të rendit juridik ndërkombëtar dhe të largojë diplomat rusë, për çka në Mbretërinë e Bashkuar jemi shumë falënderues”, ka shkruar Mej.