Pas takimit të parë të mbajtur me shefat e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, tha se ka biseduar me kryeministrin e Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, në margjinat e takimit të sotëm, duke theksuar se me homologun e saj maqedonas kanë pasur mirëkuptim të mirë për bashkëpunimin mes Serbisë dhe Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Në Podgoricë ka pasur më shumë bisedime me Plenkoviç meqë atëherë kishim barrierë tregtare nga ana e Kroacisë dhe atë e zgjidhëm shpejt pas atij takimi për shtatë ditë dhe në bashkëpunim me Odën Ekonomike Rajonale, që është edhe një dëshmi se është mirë që e formua në Trieste. Sot me kryetarin e Qeverisë së Maqedonisë, Zaev, biseduam për ndodhitë që ishin këto ditë dhe kemi mirëkuptim për bashkëpunimin tonë. Unë e ftova që ta vizitojë Serbinë në nëntor. Atë vizitë do ta shfrytëzojmë për marrëveshje për seancë të përbashkët të të dy qeverive. Krahas kësaj biseduam për mbështetjen e Maqedonisë, për atë që selia e bashkësisë transportuese e Evropës Juglindore të jetë në Serbi dhe shpresoj se këtë do ta përfundojmë”, tha Brnabiç.

Ajo ka shtuar se me kryeministrin Zaev biseduan edhe për qëndrimin e Maqedonisë mbi anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. “Për Maqedoninë është shumë e rëndësishme miqësia me Serbinë dhe se kjo do të jetë një sinjal i miqësisë dhe lidhjeve më të fuqishme me Serbinë, prandaj pres që kjo çështje mos të hapet”, theksoi Brnabiç.

Sipas saj, në takimin e sotëm me homologët e rajonit, më shumë kanë biseduar për bashkëpunimin ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Më shumë biseduam për bashkëpunimin ekonomik dhe infrastrukturën e përshtatshme që definitivisht janë një nga temat më të rëndësishme për të cilat duhet biseduar. Si rajon kemi shumë potencial dhe kapacitet. Në Trieste formuam edhe Odën Ekonomike Rajonale dhe miratuam planin aksional. Sot bisedojmë si ta implementojmë që të mos mbetet vetëm në letër, siç ndodh zakonisht në tërë rajonin”, tha Brnabiç, duke e vlerësuar takimin e sotëm si shumë të suksesshëm.

Në këtë takim joformal që ka për qëllim thellimin e integrimit rajonal me theks të veçantë në ekonomi dhe tregti, të pranishëm janë kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, kryeministri malazez Dushko Markoviç, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Denis Zvizdiç, si dhe zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Cyril Muller.