Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë në seancën e mbajtur sot, nuk ka nisur një procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë për nismën e Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale dhe Kongresit Botëror Maqedonas për vazhdimin e mandatit të kryetarëve të komunave. Gjyqtarët e Kushtetueses unanimisht vendosën se “Gjykata nuk është kompetente për të vendosur mbi zhvillime juridike të cilat nuk ekzistojnë”. Siç tha gjykatësja Elena Gosheva, kjo është kompetencë ekskluzive e Kuvendit.

“Me nismat e reja kërkohet që Gjykata Kushtetuese të krijojë një situatë të re ligjore që është në kompetenca të Parlamentit. Në përputhje me kompetencat që ka, Kushtetuesja bën vlerësimin nëse vallë përmbajtja e një ligji është në përputhje me kushtetutën apo jo, dhe jo të krijojë ligje të reja”, tha gjykatësja e kushtetueses, Elena Gosheva.
Mandati i kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve komunal skadon më15 maj. Zgjedhjet lokale duhej të mbaheshin në gjysmën e parë të majit, por për shkak të asaj që nuk u zgjodh kryetari i Kuvendit, skaduan afatet për shpalljen e tyre në kohën e paraparë.
Nga ana tjetër, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, i ka dërguar kerkesë me shkrim kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, nga i cili ka kërkuar që në afat kohor sa më të shkurtët të ndërmerren veprimet dhe masat e nevojshme me të cilat do të sigurohej funksionimi kushtetues dhe ligjor i organeve të njësive të vetëqeverisjes lokale.
“Duke pasur parasysh datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, si dhe mënyrën, kushtet dhe procedurën për zgjedhjen e anërëve të këshillave dhe kryetarëve të komunave që janë të rregulluara në Kodin Zgjedhor, ndërsa në pajtueshmëri me nenin 12 nga Kodi Zgjedhor aktin e shpalljes së zgjedhjeve e sjell kryetari i Kuvendit dhe me të përcaktohet dita kur fillojnë të rrjedhin afatet për kryerjen e veprimtarive zgjedhore dhe dita e mbajtjes së zgjedhjeve, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale kërkon që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në afat kohor sa më të shkurtër me ndryshime të Kodit Zgjedhor të siguroj kushte ligjore për zgjidhjen e problemit të shkaktuar dhe funksionimin ligjor të organeve të vetëqeverisjes lokale dhe administratës lokale”, thuhet në kërkesën e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale.
Tani i mbetet kryetarit të ri të Kuvendit, që të thërrasë seancë plenare për të ndryshuar nenin 35, paragrafi 1 dhe nenin 49 nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale dhe nenin 16, paragrafi 1” nga Kodi zgjedhor.
Ndërkaq, Xhaferi, tha për televizionin Shenja se pret që të shoh zyrtarisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe më pas do të vendos se si do të veprojë.
/SHENJA/

AlbPortali: