Inspektorati sanitar dhe shëndetësor do të hetojë nëse ka lëshime dhe përgjegjësi eventuale pas takimit në Kumanovë, ku nikoqir ishte kryetari i qytetit Maksim Dimitrievski, i cili priti kryeministrin teknik, zëvendëskryeministrin për çështje evropiane dhe ministrin e shëndetësisë, pa u treguar se është testuar për Covid 19.

Nga Qeveria njoftojnë se pasi të zbatohet procedura e inspektimit, publikisht do t’i japin detajet, nëse dikush ka vepruar në kundërshtim me rregullat epidemiologjike.

Por pasi kryetari i Kumanovës publikisht njoftoi se është pozitiv me Kovid 19, edhe kryeministri teknik Oliver Spasovski hyri në vetizolim.

Para se të shkojë në karantinë dyjavore, ai incizoi video në godinën e Qeverisë. Videoja ishte bërë sipas protokollit për mbrojtje, thonë nga Qeveria.

Kryetarit të Komunës së Kumanovës, analizat i janë bërë të dielën. Rezultatet se është pozitiv i mori dje, apo vetëm një ditë pasi që në Kumanovë në një mbledhje i priti krerët e shtetit.