Ish-të burgosur në Bosnje dhe Hercegovinë, rreth 50 sish, si dhe përfaqësuese të shoqatës “Nënat e Srebrenicës dhe Zhepës” kanë shkuar në Hagë, ku të mërkurën do të marrin pjesë në shpalljen e aktgjykimit për Ratko Mlladiqin, ish-komandant i forcave serbe të Bosnjës.

Mlladiq përballet me 11 akuza, përfshirë ato për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnje.

Kryetari i Lidhjes së të Burgosurve, Jasmin Meshkoviq, tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se shpreson se Tribunali i Hagës ka gjetur dëshmi për përgjegjësinë direkte të Mlladiqit në planifikimin dhe ekzekutimin e gjenocidit në Srebrenicë dhe për krime të tjera të luftës.

Në korrik të vitit 1995, trupat e Mlladiqit kanë hyrë në qytetin e Srebrenicës, i cili ishte shpallur zonë e sigurt e Kombeve të Bashkuara, dhe kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

“Presim dhe duam që Ratko Mlladiq të jetë në gjendje të dëgjojë shpalljen e plotë të aktgjykimit dhe provat mbi të gjitha akuzat. Ato janë përgjegjësia për gjenocidin në Srebrenicë dhe përgjegjësia për gjenocid në gjashtë komuna të tjera të Bosnjës, pastaj terrorizimi i qytetarëve të Sarajevës, mbajtja peng e forcave ndërkombëtare dhe krime të tjera kundër njerëzimit”, tha Meshkoviq.
“Presim të gjykohet për të gjitha akuzat dhe të marrë dënimin më të rëndë të mundshëm”, shtoi ai.
Në Hagë kanë udhëtuar edhe vëllezërit Sabahudin dhe Hajrudin Shehiq, të cilët kanë  qëndruar në kampin Vogoshqa për 150 ditë. Sabahudini tha se nuk do t’i harrojë kurrë “ditët e torturës”.
“Dua të marr pjesë në shpalljen e aktgjykimit më të rëndë për Ratko Mlladiqin”, tha ai.