Të akuzuarit për rastin “Lagja e Trimave” kanë filluar të japin dëshmitë e tyre në lidhje me luftimet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë. I pari që para trupit gjykues dha versionin e tij ishte i akuzuari Sami Ukshini apo i njohur si Komandant Sokoli. Ukshini në deklaratën e tij theksoi se policët e vrarë ranë viktimë nga kolegët e tyre. Ukshini gjithashtu ka akuzuar dy protagonistët Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj si organizatorë të kësaj ndodhie, duke pretenduar se përfshirja e tij në mesin e grupit ka qenë konstruktiv dhe për t’i bindur dy të lartpërmendurit për t’u tërhequr. Ukshini është shprehur kategorik se nuk ndjehet fajtor për veprën dhe se nuk pranon aktakuzën e cila atë e akuzon për terrorizëm. Në përmbyllje të dëshmisë, Ukshini akuzoi qeverinë për inskenim të rastit por duke mos përmendur emra konkret. Seanca u përmbyll me dëshminë e Sokolit, ndërsa gjykimi pritet të vazhdojë më 23 shkurt me dëshminë e Muhamed Krasniqit, i njohur si Komandant Malisheva. Avokatët kanë theksuar se faktet që do të prezantohen do të dëshmojnë se të akuzuarit kanë qenë viktimë e inskenimeve politike.