Kumanovë/ Valdet Zekaj: Cigaret dhe serbët nuk i duroj dot

Ka vazhduar gjatë ditës së sotme procesi gjyqëor “Lagja e Trimave”, në Gjykatën Penale në Shkup. Gjatë seancës së sotme ka dëshmuar i akuzuari Valdet Zekaj, i cili ka thënë se nuk mund të shprehet mirë sepse dhëmbët i ka të thyer. Ai ka thënë se serbët dhe cigaret janë dy ndër gjërat që ai nuk i duron aspak.

“Më 1 maj shkuam në Bellanoc. Prita që Bellanoca të bëhej Kumanovë. Ndejtëm aty një natë! Askush nuk pyet se në cilën shtëpi kemi ndejt. Aty ishte edhe një ‘kalë i Trojës’. Mes nesh gjithmonë besa është dashur të respektohet. Femra nuk është dashur të pranohen në radhët tona se femrat janë vetëm për lule”, tha Zekaj, përcjell “Ljam”.

“Pastaj shkuam në Kumanovë. Unë dola vet në një shtëpi tjetër. Unë cigaret edhe serbët s’mund t’i duroj. S’po mundem të flas mirë se dhëmbët i kam të thyer. Aty kemi ndejt derisa u bë monoton dhe dy ditë përpara u fjalosa-shoqërisht me Mirsad Ndrecaj dhe i thash se çdo ditë e më tepër po na rrethojnë.

Megjithatë Mirsad Ndrecaj më tha të mos mërzitem. Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj nuk kanë qenë komandantë, sepse edhe ata kanë pritur prej dikujt tjetër”, ka dëshmuar Zekaj.