Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë sot homazhe në Poklek të Ri të Drenasit në nderim të viktimave të masakrës së 31 majit 1998.

Sipas njoftimit të Zyrës s Kryeministrit, Kurti ka qenë i shoqëruar nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Enver Dugolli.

“22 vjet më parë, në këtë fshat ndodhën krime të tmerrshme. 300 forca të policisë speciale të Serbisë sulmuan Poklekun e Ri, duke vrarë e shkatërruar gati krejt çka kishin para syve. Dhjetë shqiptarë që ishin banorë të Poklekut të Ri, u zunë gjatë sulmit të 31 majit. Njëri prej tyre u gjet më vonë i vdekur, ndërsa nëntë të tjerë mungojnë sot e kësaj dite”, thuhet n njoftimin e qeveris.

Po ashtu në këtë njoftim , janë bërë të ditura edhe dëmet materiale që banorët i kanë pësuar në luftën e fundit.

“Përveç dëmeve në njerëz, Pokleku i Ri pësoi edhe shumë dëme materiale. Vlerësimi i bërë në vitin 1999 nga Grupi Ndërkombëtar i Menaxhimit nxori evidencën që 40% e shtëpive të Poklekut të Ri ishin dëmtuar”, thuhet në komunikatë.

Tutje në njoftim është theksuar se është koha që të shfrytëzohen të gjitha resurset për të zbardhur fatin e të pagjeturve.

“Sot Pokleku i Ri duket se e ka rimarrë veten nga dëmet materiale, por dhimbja për nëntë banorë të zhdukur të fshatit mbetet ende e pranishme. Kjo na kujton se duhet të përdorim të gjitha resurset e mekanizmat për të gjetur të dashurit e qytetarët tanë që akoma mungojnë”, thuhet aty./kallxo.com