Kryeministri Albin Kurti ka thënë se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian janë të padrejta dhe se ato duhet hequr sa më parë. Po ashtu ka kërkuar nga blloku evropian që të përmirësojë qasjen ndaj Kosovës, ndërkohë ka mirëpritur letrën që kryetarë të komisioneve të punëve të jashtme të vendeve të ndryshme ua nisën BE-së, SHBA-së e Britanisë, duke u kërkuar ashpërsim të qasjes ndaj Serbisë
Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës janë të padrejta dhe sa më parë të hiqen aq më mirë, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

Në një intervistë për Kosovapress, ai tha se BE-ja duhet ta përmirësojë qasjen ndaj Kosovës.

“Sa u përket masave që janë marrë ndaj nesh, ne konsiderojmë se nuk janë fer. Janë pjesë e asimetrisë në raporte dhe sa më parë që të përfundojnë aq më mirë. Ne po bëjmë krejt çfarë mundemi dhe dimë, por do të duhej që edhe partnerët dhe aleatët tanë evropianë sa më parë të përmirësojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës”, tha Kurti.

Ai ka insistuar se peticioni e jo dorëheqjet janë zgjidhje për largimin e kryetarëve në katër komunat veriore.

“Ne mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili parasheh mundësinë e 20 për qind të trupit elektoral që të dalin dhe shprehin vullnetin e tyre për t’i ndërprerë mandatin e kryetarëve aktualë. Jemi të hapur për këtë. Është krijuar edhe një grup punues që do të bëjë rregullimin e çështjeve teknike administrative të dispozitave të këtij neni dhe këtij ligji. Tash ta presim punën e tyre, sa më shpejt aq më mirë, por edhe një herë po e them nuk besoj se ka arsye më që të ketë ndokush dyshime se Kosova nuk është palë konstruktive”, tha Kurti.

E ka komentuar edhe letrën drejtuar BE-së, SHBA-së e Britanisë nga kryetarë të komisioneve të punëve të jashtme të parlamenteve evropiane dhe nga kryetari i Komitetit për punë të jashtme të senatit amerikan, Bob Mendez, ku kërkohet ashpërsim i qasjes ndaj Serbisë.

Ka thënë se ka shumë “përfaqësues të popujve liridashës dhe demokratikë, të cilët dëshirojnë që qasja ndaj Kosovës të përmirësohet dhe ndaj Serbisë të ashpërsohet”.