Në një intervistë me Deutsche Welle, Albin Kurti, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër ka folur për prioritetet kryesore të punës së tij nëse fiton zgjedhjet e tetorit, përfshirë korrupsionin, dialogun me Serbinë dhe “çështjen e simboleve kombëtare”.

Në këtë drejtim, siç ka thënë Kurti, në bazë të një studimi ndërkombëtar, dhjetë për qind e familjeve në Kosovë japin ryshfete në shërbimet publike, të cilat do të duhej të ishin të garantuara.

Kjo përqindje, sipas tij, është shumë më e lartë në Mal të Zi, 34 për qind, që do të thotë, se korrupsioni në Kosovë është i përqendruar.

“Unë besoj që më kollaj luftohet korrupsionin në Kosovë sesa në Serbi e në Mal të Zi. Korrupsioni në Kosovë nuk është kulturë, por është sistem, dhe duhet ta godasim në majat e sistemit, atje ku ai ka çerdhen e tij. Nuk mendoj se është e pamundur. Përkundrazi, mendoj se një lëvizje e jona që e çliron gjyqësorin nga ekzekutivi, do të dëshmojë që suksesi, jo vetëm që është i mundur, por është edhe më i shpejtë sa ç’është menduar”.

Lideri i Vetëvendosjes është pyetur edhe rreth pritjes që i ishte bërë kur ai kishte shkuar në një tubim, në të cilin bashkatdhetarët e pritën me himnin e Shqipërisë.

“Dy të tretat e shqiptarëve në Berlin janë nga Maqedonia e Veriut, po ashtu kemi edhe shumë shqiptarë nga Shqipëria dhe nga Lugina e Preshevës. Ne duam të theksojmë atë çka është e përbashkët për të gjithë njerëzit në këtë tubim: nëse nëpër Ballkan jemi të ndarë nëpër shtete, mërgata jonë është e bashkuar dhe ne këtë edhe e duam, edhe e respektojmë”.

“Ai himni tjetër është pa tekst, nuk e këndon dot dhe mendoj që mirë është kështu siç është në këtë organizimin që bëmë. Unë i respektoj simbolet e institucioneve të Kosovës në institucione dhe flamurin dhe himnin e Kosovës do ta respektoj nesër, pasnesër, si kryeministër. Mirëpo mërgata jonë e ka të përbashkët përkatësinë në kombin shqiptar, i cili është shumë më i madh sesa është Kosova. Do të ishte gabim po të veprohej ndryshe”.

Kurti është pyetur edhe rreth “pikave radikale në kërkesat e tij”, siç mund të jetë Shqipërisë së bashkuar përkatësisht rreth asaj se nëse bëhet kryeministër, si do të përballej me partnerët evropianë e perëndimorë për këtë çështje.

Në këtë kontekst Kurti ka thënë se “vazhdimisht po themi që prioritet mbi prioritet do të jetë luftimi i krimit dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik me investime të përqendruara në gjenerimin e punësimit, luftimi i pabarazive, krijimi i urave”.

“Ata, të cilët na duan, i përmendin këto gjëra që janë jetike për Kosovën, ndërkaq, ata të cilët dëshirojnë që t’i frikësojnë të tjerët me fitoren e Vetëvendosjes, i përdorin këta flamuj të tjerë të vetëvendosjes për ‘Shqipërinë e Madhe’, kur dihet që ‘Shqipëria e Madhe’ është një nocion i shpikur nga ata që synuan ta realizojnë Serbinë e Madhe@.

Po Shqipëria e Bashkuar?

Edhe lidhur me këtë Kurti ka dhënë një përgjigje.

“Unë besoj që është e rëndësishme të theksohet ajo që e duan qytetarët e Republikës se Kosovës se ka ardhur koha që të mos përjashtohet me parulla koti Lëvizja Vetëvendosje! Bashkimin Kombëtar nuk e do vetëm Lëvizja Vetëvendosje!, e duan të gjithë shqiptarët. Ai është një intensë historike. Por ne, prioritet mbi prioritetet kemi luftimin e krimit dhe të korrupsionit dhe punësimin e të rinjve tanë në mënyrë që ta zëvendësojmë emigrimin me punësim, ta zëvendësojmë korrupsionin me drejtësi dhe diskriminimin me barazi”.

Kandidati i VV-së për kryeministër ka folur edhe për disa parime për dialogun Serbi-Kosovë.

“Për ne prioritet ka shteti i Kosovës. Pra, nuk mund të ekzistojmë për dialogun me Serbinë, Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj. Është një borxhli i madh ndaj shqiptarëve, dhe ne do të duhet që t’i kemi parimet e një dialogu të përgatitur mirë, e që do të përfshihen shqyrtimet e marrëveshjeve të deritanishme, sa janë realizuar ato dhe cili ishte ndikimi i tyre në realitetin e qytetarëve në Kosovë dhe më pas. Gjithashtu, të shohim se sa mund t’i përgjigjet kërkesave të Kosovës për zhdëmtimet për krimet e luftës Serbia, e cila fatkeqësisht mund t’i ketë ndryshuar mënyrat, por jo qëllimet. Për marrëdhënie të mirë në Ballkan, në frymën evropiane, do të duhet që shumë më tepër të ndryshojë Serbia sesa Kosova. Dialog do të ketë, unë si kryeministër i Republikës së Kosovës do ta marr përgjegjësinë e dialogut, por do të bëj dialog me Brukselin për dialog me Serbinë. Rrjedhimisht, do të jetë mirë i përgatitur, që të mos kemi edhe më shumë dështime…”, ka thënë ndër tjerash Kurti.