Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ngrirjes së pozitave të zyrtarëve dhe gjyqtarëve serbë në institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie me suspendimin nga puna të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq.

Kurti, përmes një postimi në Twitter, tha se as nuk është kryetar dhe as anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, teksa shtoi se gjyqësori në vend është i pavarur nga qeveria.

“Unë nuk jam as kryetar dhe as anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Gjyqësori është i pavarur nga Qeveria. Ndoshta në Serbi presidenti pezullon dhe largon gjyqtarët dhe prokurorët. Kjo nuk ndodh në Kosovë ose me gjyqtaren Stevanoviq. Ne jemi shteti më demokratik nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, plotësisht të lidhur me BE-në dhe NATO-n”, ka shkruar Kurti, transmeton Telegrafi.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) të enjten mori vendim që ta suspendojë Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës. Suspendimi i gjykatëses Stevanoviq erdhi pas pjesëmarrjes së saj në takim në Këshillin e Sigurisë Nacionale të Serbisë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Protestat në veri të Mitrovicës dhe në Graçanicë kanë kaluar qetë dhe pa incidente.

Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, kishin shprehur shqetësimepër rrezikun e përshkallëzimit apo dhunës në protestat e së premtes.

Vendet e Quint-it dhe BE-së, po ashtu kanë përsëritur thirrjet e tyre ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga secila retorikë apo vendim, që mund të çojë në rritje të tensioneve.