Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela me bashkëpunëtorët.

Në takim u bisedua për menaxhimin e pandemisë në të dy vendet, trendin e vaksinimit dhe mundësinë e lehtësimit të masave.

Kryeministri Kurti foli për stabilitetin institucional, progresin dhe reformat e nisura të qeverisë në fusha të ndryshme.

Për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, kryeministri ritheksoi se duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve, si rruga e vetme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.

Sela theksoi nevojën për komunikim ndërshqiptar dhe bashkërendim të veprimeve politike përballë zhvillimeve rajonale.

Lidhur me nismat si Ballkani i Hapur, Sela tha se asnjë iniciativë e tillë nuk ka kuptim për sa kohë që nuk vendoset edhe mozaiku i fundit i rajonit të Ballkanit, e që është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Ndryshe kjo do të kishte efekt shumë të dëmshëm për shtetësinë e Kosovës dhe në përgjithësi për shqiptarët, shtoi ai.