Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë një takimi me përfaqësuesit e shqiptarëve në Mal të Zi, ka thënë se qeveria e re do të formohet së shpejti dhe prioritet i saj do të jenë punësimi dhe drejtësia.

Kështu bëhet e ditur në një komunikatë e lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ndryshe Kurti, së bashku me nënkryetaren Fatmire Mulhaxha Kollçaku, anëtarin e Kryesisë së Lëvizjes, Martin Berishaj dhe aktivisten, Valë Gjonbalaj, kanë pritur në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika dhe nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Genc Nimanbegu.

“Ata ndanë edhe shqetësimin e tyre në lidhje me shqiptarët në Mal të Zi, emigrimin në rritje, asimilimin dhe natalitetin e ulët, duke shprehë bindjen se qeveria e re e Kosovës do të ketë një vëmendje të shtuar për shqiptarët që jetojnë atje”, thuhet ndër tjerash në komunikatën e LVV-së.

Njoftimi i plotë:

Sot, Kryetari Kurti, së bashku me Nënkryetaren znj. Fatmire Mulhaxha Kollçaku, anëtarin e Kryesisë së Lëvizjes, z. Martin Berishaj dhe aktivisten, znj. Valë Gjonbalaj, pritën në takim Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, z. Faik Nika dhe Nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, z. Genc Nimanbegu.

Z. Nika dhe z. Nimanbegu uruan Kryetarin Kurti për fitoren në zgjedhjet e fundit dhe shprehën dëshirën që qeveria e re e Republikës së Kosovës të formohet sa më parë.

Ata ndanë edhe shqetësimin e tyre në lidhje me shqiptarët në Mal të Zi, emigrimin në rritje, asimilimin dhe natalitetin e ulët, duke shprehë bindjen se qeveria e re e Kosovës do të ketë një vëmendje të shtuar për shqiptarët që jetojnë atje.

Kryetari Kurti i falënderoi për urimin e vizitën dhe i njoftoi me prioritetet e qeverisë së re të Kosovës që do të formohet së shpejti, e që janë punësimi dhe drejtësia.

Në lidhje me shqiptarët jashtë kufirit dhe ata në Mal të Zi, ai tha se është e rëndësishme që ata të bashkohen por që edhe më e rëndësishme është t’iu zgjerohet korniza e mundësive në ato vende ku ata jetojnë e këtu një rol më aktiv pa dyshim se duhet ta kenë Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.

Në përfundim të takimit, u shpreh gatishmëria për bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen.