“Njeri i Vitit” është një nga rubrikat tradicionale të gazetës “Koha Jonë”, ku në fund të çdo muaji dhjetor lexuesit japin vlerësimin për personalitetet që kanë lënë më shumë gjurmë në jetën publike. 2019-ta ishte një nga vitet më të ngjeshura me ngjarje, ku emra të veçantë të jetës publike kanë spikatur.

Lista e personaliteteve është e gjatë, por në fund, lexuesit e “Koha Jonë” kanë vendosur që çmimin për katër kategori të veçanta ta fitojnë: Albin Kurti, si POLITIKANI I VITIT, Avni Ponari, si BIZNESMENI I VITIT, Eni Vasili si MODERATORE E VITIT, Klodiana Lala GAZETARE E VITIT.

Votimi për personazhet është realizuar në mënyrën më transparente në faqen e www.kohajone.com përgjatë dy muajve. Rreth 97 mijë votues kanë shprehur me votë pëlqimin e tyre për personazhet në 4 kategoritë. Sistemi i votimit lejonte që një lexues votonte vetëm 1 herë me anë të IP-së, duke shmangur çdo përsëritje apo votim fiktiv disa herë nga e njëjta pajisje. Votimi pasqyron pëlqimin e lexuesve të “Koha Jonë” për secilin personazh dhe pas daljes së rezultatit vlen të theksojmë se emrat e zgjedhur, në fushat përkatëse kanë shkëlqyer gjatë vitit që po lëmë pas.