Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti dje në takim liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin me të cilin për pak minuta biseduan për mundësinë që sa më shpejt të formohen institucionet e vendit.

Ky takim u realizua më në fund, pasi dy herë Kurti kishte refuzuar ftesën e Presidentit për takim, duke e caktuar 6 janarin si datë të përshtatshme, për takimin i cili zgjati rreth 6 minuta.

Gjatë këtij takimi ishte pritur që Kurti të propozonte kandidatin për kryeministër të vendit, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Për këtë, pas takimit Thaçi u shpreh se i kishte dhënë kohë shtesë Kurtit edhe 48 orë që të propozonte kandidatin apo kandidaten për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Z. Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje”, u shpreh Thaçi.

“Kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore”, tha Thaçi pas takimit.

Kurti pas këtij takimi para medieve tha se pasi të raportojë para Kryesisë së Vetëvendosjes për këtë takim, përmes një shkrese do të propozojë kandidatin për kryeministër.

Ndërsa në lidhje me afatin prej 48-orësh për të cilin njoftoi presidenti Thaçi, Kurti tha se një gjë e tillë nuk ishte përmendur gjatë takimit, duke shtuar se të pranishëm në takim ishin edhe persona të tjerë.

“Gjatë takimit te djeshëm të shkurtë konsultativ, i cili nuk mund të ketë efekte ligjore, presidenti nuk ka përmendur kurrfarë afatesh dhe nuk e ka përmendur shprehjen ‘48 orë’, e që më vonë është mundur të lexohet në publikimin e tij në Facebook. Gjatë takimit, i cili ka zgjatur më pak se 6 minuta, në dhomë kemi qenë 6 persona”, tha Kurti për Radio Evropa e Lirë.

Kurti sot mbajti mbledhjen e Kryesisë me partinë e tij, ndërsa pas përfundimit të kësaj mbledhjeje, ai është takuar me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në Kuvendin e Kosovës.