Pavarësisht zotimeve të vazhdueshme për korrigjim të vijës kufitare me Malin e Zi, pala kosovare ende nuk ka bërë asnjë hap në drejtim të kësaj. Së fundi lideri i LVV-së Albin Kurti ka thënë se do të punojë për një gjë të tillë, por vlerësohet se rishikimi i kufirit më shumë mbetet një shpresë për Kosovën sesa një realitet që mund të ndodhë, shkruan gazeta “Zëri”.

Lidhur me çështjen e kufirit Kosovë – Mal i Zi para pak ditësh është deklaruar sërish kryeministri malazez Dushko Markoviq, me ç’rast ka përsëritur se kjo temë është e mbyllur.

Megjithëkëtë, Markoviq ka thënë se mund të bisedohet për tërheqjen e vijës kufitare, shrkuan gazeta “Zëri”.

“Ajo për çfarë mund të bisedojmë është tërheqja e vijës kufitare në lidhje me gjendjen në terren, për çfarë na jep të drejtë Marrëveshja për Kufirin. Kjo nuk është çështje e kufirit, por çështje e vijës kufitare dhe në këtë proces ne do t’i dëgjojmë propozimet e Kosovës dhe me siguri do të kemi edhe ne propozimet tona”, ka potencuar Markoviq.

Kjo deklaratë e tij ka ardhur pas paralajmërimit të liderit të LVV-së Albin Kurtit, i cili tha se në momentin që vjen në pushtet do të bëjë përpjekje për korrigjim të kufirit. “Ne do të bëjmë çdo lëvizje për ta korrigjuar Marrëveshjen me Malin e Zi. Ishte gabim për shkak të komisionit tonë, jo për faj të Malit të Zi”, u shpreh Kurti, i cili pas rezultateve preliminare ka dalë fitues i zgjedhjeve të fundit. Ndërkohë gazeta tash e tri ditë është duke pritur përgjigje nga LVV-ja lidhur me strategjinë që do të përdoret për korrigjim të kufirit, mirëpo nga Zyra për Informim e këtij subjekti nuk kanë kthyer përgjigje.