Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot nuk do ta vazhdojë seancën e gjashtë në rend dite të së cilës janë propozim vendimi për dhënie të pëlqimit të akteve të përgjithshme të Avokatit të Popullit, si dhe shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm Marko Zvërlevski. Seanca është ricaktuar për të hënën në orën 11.00.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, dje e ndërpreu seancën pas serisë së pauzave që e kërkuan deputetët e VMRO-DPMNE-së që të shqyrtohen stenogramet nga fjalimi i Avokatit të Popullit Ixhet Memeti. Paraprakisht nga VMRO-DPMNE-ja bënë të ditur se kanë formuar 10 grupe të deputetëve. Koordinues të grupeve të deputetëve janë Ilija Dimovski, Antonio Milloshovski, Zoran Ilioski, Vlladanka Aviroviq, Daniella Rangellova, Panço Minov, Dimitar Stevavanxhija, Dragan Danev, Bllagica Lasovska dhe Dragan Cuklev.

Sipas Rregullores kuvendore, koordinuesit e grupeve të deputetëve kanë të drejtë në diskutim prej 15 minutave dhe të kërkojnë vërejtje procedurale edhe 3 minuta.

Në rend dite të seancës së gjashtë janë edhe propozim-ndryshimet e Ligjit për marrëdhënie pune të parashtruar nga Nola Ismajllovska, Magdalena Manaskova dhe Vesna Pemova dhe raportet vjetore për punën e shumë institucioneve. Deputetët duhet të debatojnë edhe për situatën me deponinë e paligjshme në Strugë, propozim i parashtruar nga grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së.