Faktori ndërkombëtar pas përfundimit të referendumit në Maqedoni në të cilin shumica e qytetarëve të cilët dolën në votim u prononcuan për të ardhmen evropiane të shtetit pret Kuvendi i Maqedonisë t’i miratojë ndryshimet kushtetuese të cilat dalin prej Marrëveshjes me Greqinë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në konferencë shtypi në Bruksel e përshëndeti miratimin e arritur për Marrëveshjen e Prespës dhe shtoi se Maqedonia mund të bëhet anëtare e Aleancës në vitin 2019, nëse e pranon Marrëveshjen e Prespës.

“Të gjithë e ndoqëm me kujdes deklarimin në referendumin në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. E përshëndes miratimin e arritur për Marrëveshjen e Prespës. Shkupi duhet t’i përcaktojë hapat e ardhshëm”, theksoi sekretari i përgjithshëm.

Edhe deputetja nga grupi i socialdemokratëve evropianë, Tanja Fajon për MIA-n thotë se është shumë e kënaqur me mbështetjen bindëse të cilën të gjithë qytetarët e Maqedonisë e dhanë për marrëveshjen e Greqisë edhe krahas faktit që shqetëson mosdalja.

Sipas Fajon tani e ka radhën Kuvendi për miratimin e amendamenteve kushtetuese. “Kryeministri Zaev e ka mbështetjen time të plotë dhe shpresoj se Marrëveshja do të miratohet, secili skenar tjetër nënkupton kthim prapa”, paralajmëron Fajon.

Ministri për Punë të Jashtme i Luksemburgut, Zhan Aselborn paralajmëroi se nëse Marrëveshja me Greqinë nuk votohet në Kuvend, Maqedoninë e pret edhe një dekadë qëndrimi në një vend siç ishte në vitin 2005.

“Unë nuk shoh se si do të mund të hapim dyert nëse nuk pranohet marrëveshja. Dyert hapen me marrëveshje. Pa marrëveshje, dyert nuk hapen. Nuk jam fatalist, por mund të zgjasë, e dini, mund të zgjasë… Prandaj, konsideroj se kjo është përgjegjësi e vendit dhe varet nga votimi në Kuvend. Kjo është kjo”, ka thënë Aselborn.

Thirrje që të zbatohet Marrëveshja e Greqisë dhe Kuvendi i Maqedonisë për t’i miratuar amendamentet kushtetuese të cilat dalin prej Marrëveshjes dje dërguan edhe Gjermania, Italia, Franca dhe Kanadaja.

Zëdhënësi i kancelares Angela Merkel, Shtefan Zajbert deklaroi se mbështetja e madhe në referendum është një arsye më shumë për vazhdimin e Marrëveshjes, edhe pse dalja ishte e vogël.Sipas Zajbertit, është me rëndësi të vazhdohet me mbështetjen e zbatimit të Marrëveshjes, e cila, siç tha, paraqet një mundësi historike për tejkalimin e një pengese në marrëdhëniet e Maqedonisë me NATO-n dhe BE-në.

Franca e përshëndeti faktin që shumica e votuesve në referendum janë prononcuar për Marrëveshjen me Greqinë dhe pret që Kuvendi të prononcohet për amendamentet kushtetuese.

“Tani Parlamenti duhet të prononcohet për amendamentet kushtetuese lidhur me zbatimin e Marrëveshjes, në bazë të rezultatit nga referendumi”, theksoi zëdhënësja e Ministrisë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Anjes fon der Mil në deklaratën që e transmetoi Ambasada e Francës në Shkup.

Italia i jep mbështetje të plotë rrugës euroatlantike të rajonit dhe shpreson se Parlamenti do t’i miratojë ndryshimet kushtetuese të parapara në Marrëveshje, është mesazhi të cilin e dërgoi Ministria e Punëve të Jashtme.

Edhe shefja e diplomacisë austriake Karin Knajsel konsideron se edhe krahas mossuksesit të referendumit për emrin e Maqedonisë, para së gjithash nga jehona e dobët e votuesve, deklarimi të dielën tregoi “sinjal të qartë për mbështetje” të zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë.

Me reagim dje doli edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë në të cilin thuhet se rezultati nga referendumi në Maqedoni tregon se votuesit vendosën të bojkotojnë zgjidhje të imponuara nga jashtë, njoftoi Ministria ruse e Punëve të Jashtme.

“Politikanët udhëheqës nga NATO dhe Bashkimi Evropian drejtpërdrejtë u inkuadruan në fushatën propaganduese, duke mos u përmbajtur nga përzierja në punët e brendshme të vendit. Edhe krahas faktit që dy e treta e qytetarëve të Maqedonisë nuk e mbështetën Marrëveshjen e Prespës, rezultatet nga referendumi menjëherë u përshëndetën nga liderët e BE-së dhe NATO-s, si dhe nga Uashingtoni. Ata janë vendosur ta përfshijnë Shkupin në NATO edhe krahas qëndrimit kundërshtues të qytetarëve të Maqedonisë”, theksojnë nga MPJ-ja e Rusisë.