Kandidati për kryeministër të Kosovës nga Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk dëshiron të parashikojë një situatë ku presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do ta bllokonte Vetëvendosjen në përpjekjen e saj për formimin e Qeverisë.Sipas tij, Thaçi do të jetë shumë më i arsyeshëm në këtë situatë, sepse Vetëvendosje është partia e parë tashmë pas dyfishimit të votave, shkruan Periskopi.“Unë nuk dua ta parashikoj atë situatë, sepse besoj se zoti Thaçi do të jetë shumë i arsyeshëm. Kemi një epokë të re, ata duhet të reflektojnë. Populli iu tregoi se çka mendon për ta. Le të merren me partinë e tyre njëherë, e mos të na tregojnë se çfarë të bëjmë me Kosovën”, tha Kurti në Rubikon të KTV-së.Sipas Kurtit, e vetmja mundësi që PDK-ja të mbetet në pushtet, është nëse LDK shkon me ta, ndonëse këtë gjë nuk e beson.“E vetmja mundësi që PDK-ja të mbetet në pushtet, është nëse LDK shkon me ta. Por, nuk besoj se do të shkojë. Janë dy mundësi, ose Qeveri e VV-së ose zgjedhje të reja. Nuk i frikësohemi  zgjedhjeve, mund të dalim shumë më mirë se tani”, theksoi Kurti.Bazuar në të dhënat e KQZ-së, VV-ja është subjekti më i madh politik në vend për nga numri i votave. /Gazeta Blic/