Ky është momenti i fundit kur luftëtari i tri luftërave të UÇK-së Beqir Sadiku nga Sllupçani ka përqafuar vajzën e tij Lorinën. Sadiku ra në luftimet e vitit 2001 në Haraçinë, shkruan Gazeta Lajm.

Beqir Ismet Sadiku, ka lindur më 8 nëntor të vitit 1980 në fshatin Sllupçan në një familje të njohur atdhetare dhe arsimdashëse. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Edhe pse kishte dëshirë të flakët të vazhdonte shkollimin e mesëm, këtë dëshirë nuk e realizoi për shkak të kushteve të rënda ekzistenciale. Për këtë arsye, me kohë iu përkushtua zejes së zdrukthëtarisë dhe pasi kreu me sukses kurset përkatëse u bë mjeshtër i njohur.
Me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Beqiri nuk mund të vazhdonte i qetë të punonte në mjeshtërinë e vet, edhe pse nga puna që bënte varej mbijetesa ekonomike e familjes.
Me rastin e shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Beqiri iu përgjigj thirrjes për mobilizim. Fillimisht ishte sistemuar në Brigadën 122 të Zonës Operative të Pashtrikut, por ndërkohë merr pjesë edhe në Operacionin “Shigjeta”, ku tregoi trimëri dhe heroizëm. Ai nuk iu nda frontit deri në çlirimin e Kosovës, në qershor të vitit 1999.
Pas çlirimit të Kosovës dhe formimit të Trupave Mbrojtjëse të Kosovës, si luftëtarë me përvoj u sistemua në formacionet e këtyre trupave. Pastaj, ashtu si shumë çlirimtarë dhe idealistë të vërtetë, Beqir Sadiku në fillim iu bashkua luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë Bujanoc (UÇPMB), duke hyrë në radhët e para të Brigadës 113 “Ibrahim Fejzullahu” në Zonën e Epërme të Preshevës. Asokohe ishte emëruar komandant i skuadrës së artilerisë. Shokët e thërrisnin me nofkën luftarake “Komandant Sllupçani”.
Sapo ishte marrë vendimi për demobilizim, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Konqulit të shkurtit të vitit 2001, Beqiri ishte kthyer në vendlindje, por tani me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Atje kishte formuar togën e tij luftarake dhe organizon mbrojtjen e fshatit nga depërtimi i falangave maqedonase. Lufta në Sllupçan kishte shpërthyer më 2 maj të vitit 2001. Beqir Sadiku tashmë kishte përvojën e duhur në luftime, pasi ishte pjesëmarrës në dy luftërat paraprake çlirimtare në trojet e pushtuara shqiptare, prandaj nuk e pushoi luftën deri në rënien e tij heroike.
Beqir Sadikut dhe e bashkëluftëtarëve të tij u përket merita e kthimit të Sllupçanit në një termopile të UÇK-së. Rrugëtimi i tij i suksesshëm nga një bazë lufte në tjetrën, dukej si rrugëtimi i Marathonomakut të Madh. Betejë pas beteje, Beqir Sadiku ishte afruar në Haraqinë, me qëllim që me bashkëluftëtarët e tij ta sulmonte dhe ta çlironte Shkupin. Në kohën kur Komandanti i NATO-s për Evropën Jugore, admirali Gregori Xhonson, ia kishte bërë me dije kreut politik, ushtarak e policor të Maqedonisë se ata nuk do të mund ta fitonin luftën me shqiptarët, kreu i luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare kishte pranuar Nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit. Gjatë luftimeve në bazën më të fortë të luftës në Haraçinë, kur po vendosej fati i luftës me një marrëveshje, Beqir Sadiku kishte marrë plagët vdekjeprurëse, më 19 qershor të vitit 2001. Dy ditë më vonë, ai thithi për të fundit herë ajrin e Haraqinës, duke hyrë në panteonin e lavdisë së kombit shqiptar.