Rreth 30,000 votues të cilët ishin zhvendosur nga lista kryesore elektorale para zgjedhjeve parlamentare të 11 dhjetorit nuk janë më në qendër të vëmendjes.

Për disa ditë partitë kanë pasur mundësi për të shqyrtuar situatën në Listën e votuesve dhe të paraqesin vërejtjet e tyre eventuale ,por përsëri edhe për këtë cikël zgjedhor nuk do të kontestohet e drejta e votës së rreth 30 mijë votuesve, të cilët janë më shumë të përkatësisë etnike shqiptare, e që janë me punë të përkohëshme jashtë vendit.

Para zgjedhjeve të kaluara parlamentare, LSDM-ja kërkoi fshirejen e këtyre votuesve, edhe pse ata kanë nënshtetësi dhe karta identiteti të Maqedonisë, përkatësisht kanë edhe pasaporta, që sipas Kodit Zgjedhor, do të thotë e drejtë e garantar për votë. Shkaku që ishte lansuar atëherë, ishte se qeverisja e atëhershme e ka keqpërdorur të drejtën e tyre të votës.

Nga BDI nuk përgjigjen nëse do të pranonin përsëri fshierjen e këtyre votuesve, por vetëm theksojnë se ata do të mbështesin pastrimin e listës konform procedurave ligjore.

Sipas ekspertëve, mundësia e keqpërdorimit të këtyre votave është ende e pranishme, derisa proceset zgjedhore varen nga politika, e jo nga ligjet.

Problemi me votuesit që jetojnë jashtë Maqedonisë duhet të zgjidhet ligjërisht.

Përndryshe, Lista e votuesve dhe reformat në KSHZ ishin pjesë e pikave që u ndeshën partitë gjatë negociatave në Përzhino.