Viti i Ri! Të ofrohen mundësi të reja! Njerëzit përkushtohen dhe marrin vendime! Festimet varen nga tradita e vendeve të ndryshme, por në pjesën më të madhe të vendeve të botës nata e Vitit të Ri është një nga festat më të rëndësishme, e cila festohet me miq e familjarë.

Dëshironi të dini se cili është vendi më i veçantë për të festuar Vitin e Ri?
Sidnei, qyteti më i madh në Australi dhe i pari në botë ku festohet nata e ndërrimit të viteve. Në Sidnei mund ta gjejnë veten të gjithë, që nga familjarët e deri te pensionistët, kampistët dhe të gjithë njerëzit që duan të bëhen pjesë e festimeve madhështore. Fishekzjarrët në portin e Sidneit janë pjesa më e bukur e festës në Australi. Duke qenë se në këtë periudhë është verë në Australi, krijohet një ndjesi e veçantë për hemisferën veriore. Qyteti i Sidneit me Teatrin e Operës dhe portin e madh krijon një sfond të mrekullueshëm për fishekzjarrët. Në rast se nuk i parapëlqeni turmat e mëdha të njerëzve, mund të zini një vend në varkat e shumta dhe t’i shijoni festimet marramendëse nga uji.

Fishekzjarrët janë arsyeja kryesore pse njerëzit nga e gjithë bota vijnë në Sidnei për të festuar natën e Vitit të Ri. Vendet më të mira për të parë fishekzjarrët zihen shumë shpejt, kështu që duhet ta planifikoni paraprakisht dhe të përpiqeni të jeni aty pasdite, në mënyrë që të gjeni një vend. Në këtë zonë shumë lokale dhe restorante organizojnë festë për këdo që nuk dëshiron të përfshihet me turmën prej më shumë se 1 milion njerëzish rreth e qark zonës së portit.