Nuk duhet të ketë më asnjë vonesë për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ky konstatim është bërë gjatë panelit “Pamja e përbashkët e fqinjëve: E ardhmja e Evropës”, që është mbajtur gjatë samitit treditësh në Antalia të Turqisë. Miroslav Lajcak, përfaqësues special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, tha se Evropa është partneri më i rëndësishëm i Ballkanit Perëndimor dhe se ofron mbështetje të rëndësishme për rajonin në tregti dhe investime.

Duke nënvizuar se që nga Samiti i Selanikut 2003, ku BE paraqiti mundësinë e anëtarësimit të plotë në vendet e rajonit për herë të parë, dy vendet kanë ngecur në procesin e negociatave.

“Meqenëse BE duhet të merret me një krizë ekonomike, krizë refugjatësh dhe pandemi të koronavirusit, çështja e anëtarësimit në BE mbetet në prapavijë dhe procesi është në një ‘periudhë të mjegullt’, tha ai.

Duke nënvizuar se BE pret një sinjal të fortë nga vendet në rajon, ai tha se BE duhet të sigurohet që çdo anëtar i ri që do të bashkohet me bashkimin do të jetë funksional.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, theksoi se Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë të qëndrojë i përkushtuar ndaj rajonit përmes veprimeve konkrete dhe duke mbajtur premtimet e saj.

“Politika e zgjerimit bazohet mbi parimin e hekurt të vlerësimit të meritës së çdo vendi. Po kjo kërkon edhe parashikueshmëri të procesit, nëpërmjet të cilit çdo arritje standardesh apo kriteresh duhet të çojë në hapin e radhës në rrugën drejt BE-së. Një proces i tillë, i besueshëm dhe i prekshëm, është një mbështetje e pazëvendësueshme për reformat e vështira që jemi duke zbatuar”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Për tre ditë radhazi, në Turqi u mbajtën Samiti dhe Ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore si dhe Forumi i parë Diplomatik i Antalya ku morën pjesë drejtues shtetesh e qeverish nga mbi 30 vende të botës.