Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lejen deklaroi se po përshpejtohet vaksinimi në Bashkimin Evropian, ndërsa qëllimi është vaksinimi i të paktën 70 për qind të popullsisë deri në fund të verës. Ajo në fjalimin para Parlamentit Evropian, paralajmëroi se pritet luftë me llojet e reja të Kovid-19 dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor u përjashtuan nga mekanizmi i BE për transparencë dhe miratim të eksporteve të vaksinave.

“Të gjithë kemi nevojë për parashikim kur bëhet fjalë për shpërndarjen e vaksinave. Për këtë arsye është vendosur mekanizëm për transparencë dhe autorizim të eksporteve, nuk kemi në plan të kufizojmë kompanitë që i respektojnë marrëveshjet me BE-në, ndërsa automatikisht janë përjashtuar kufizimet e eksportit në vendet e Ballkanit Perëndimor, në fqinjësinë tonë, për nevoja humanitare dhe në 92 vende me të ardhura të vogla dhe mesatare nga instrumenti Kovaks”, tha Lajen, përcjell Zhurnal.mk

Ajo theksoi se BE-ja deri më tani ka shpërndarë 26 milionë doza vaksine dhe se rreth 70 milionë njerëz janë vaksinuar. Lajen pranoi që BE-ja ishte “tepër optimiste” në lidhje me prodhimin masiv të vaksinave, por i hodhi poshtë kritikat për furnizimin e përbashkët të vaksinave, e cila tani është vonohet në vendet anëtare. “Kishim të drejtë të porosisnim në mënyrë kolektive vaksinat si evropianë. Çdo gjë tjetër do të ishte ekonomikisht e palogjikshme dhe fundi i komunitetit tonë”, tha Lajen.

Ajo përveç mbështetjes së paralajmëruar për prodhim masiv të vaksinave, paralajmëroi edhe koordinim në BE në luftën kundër mutacioneve të reja në Kovid-19. “Nuk kemi shumë të dhëna për efektivitetin e vaksinës kundër mutacioneve të reja të virusit. Ato vazhdojnë të shfaqen dhe ne duhet të përgatitemi menjëherë. Duhet të sigurohemi që nuk do të ketë karantina dimrin e ardhshëm dhe më tej”, tha Lajen. Ajo shtoi se javën e ardhshme do të paraqitet agjenda e re për përgatitjet e BE-së për të luftuar llojet e reja Kovid-19. (Zhurnal.mk)