Prokuroria Speciale Publike para një majit do të realizojë takim me tetë anëtarët nga Gjermania dhe Hungaria të Këshillit të drejtorëve të Telekomit të Maqedonisë, sepse edhe pas katër tentimeve nuk arriti të sigurojë urdhëresë gjyqësore për kontroll në kuadër të dy hetimeve lidhur me përgjimin masiv nga viti 2008 deri në vitit 2015, shkruan sdk.mk, duke u thirrë në burime të kompanisë që për shkak të se nuk janë të autorizuar të flasin në opinion dëshirojnë të mbeten anonimë.

PSP konfirmoi se pasi u përball me obstruksione nga përfaqësuesit e kapitalit shtetëror në kuadër të kësaj kompanie dhe nga gjykata e cila sajon shkaqe të ndryshme që të mos japë urdhër për kontrollim, tani kërkon pëlqim për qasje deri te dhënat e këtij operatori, në kuadër të hetimeve të filluara për përgjime masovike të qytetarëve përmes operatorit më të madh celular në Maqedoni.

Për dallim prej Telekomit, ku qeveria posedon një pjesë të aksioneve, operatori tjetër ka mundësuar qasje për PSP-në, transmeton Gazeta Lajm.

Nga PSP kanë konfirmuar se kanë kërkuar nga Valter Goldenic, Mihael Frank, Andrea Shagi, Peter Zhom, Karoj Shvejninger, Andreas Maierhofer, Suzane Krogman dhe Atila Keseg, të japin pëlqim që prokurorët të kryejnë kontrolle në kompani dhe konfirmuan se është caktuar takim me ta. Ata thonë se kanë vendosur për qasje të tillë pasi që kanë dështuar tentimet të marrin pëlqim nga anëtarët e këshillit drejtues që përfaqësojnë interesat e qeverisë së Maqedonisë.

 

PSP tenton të futet në Telekom që nga 18 nëntori i vitit të kaluar, kur filluan hetimet për rastin “Target” për përgjime masovike në Maqedoni, mirëpo Gjykata themelore Shkup 1 katër herë refuzoi të japë urdhër për kontroll. Ky është gjithsesi një lajm i keq për koalicionin VMRO-BDI sepse gjatë qeverisjes së tyre kanë ndodhur pjesa më e madhe e përgjimeve.