Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se beson që “do të kthehet së shpejti”, dy ditë pasi u diagnostikua me coronavirus dhe u dërgua për trajtim në një spital ushtarak.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, përmes pamjeve të shpërndara në Twitter, Trump deklaroi se tani po “ndihej më mirë”.

“Kur erdha këtu nuk ndihesha mirë, por tani mendoj se jam shumë më mirë”, u shpreh ai.

Presidenti amerikan shprehu mirënjohje për stafin e spitalit dhe për urimet që i mori nga udhëheqësit botërorë dhe populli amerikan.

“Mendoj se do të kthehem së shpejti”, deklaroi Trump përmes një video-mesazhi.

Përveç Presidentit amerikan, edhe zonja e parë, Melania Trump, u diagnostikua me COVID-19, gjendja e së cilës thuhet të jetë mirë bazuar në deklaratat në video.