Biznesmeni dhe aktivisti Lazim Destani ka qenë i pranishëm në Kuvendin zgjedhor të Lidhjes Shqiptare në Botë, ku me këtë rast ka mbajtur edhe një fjalim para të pranishmëve.
Ja fjalimi i plotë:
Sot po e ndaj me ju kënaqësinë që më sollën çastet që kalova së bashku me miqtë e mi, vëllezërit Mikel e Simon Kuzhnini si dhe me drejtues të tjerë të Lidhjes Shqiptare në Botë, në kryeqytetin kroat, në Zagreb. Këtu erdha i ftuar për të marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Lidhjes që i zhvilloi punimet dje pasdite, po në Zagreb. Në këtë ngjarje ishin prezent shumë bashkathdhetarë nga Kroacia, Gjermania e nga vende të tjera europiane. Ishte gjithashtu i pranishëm edhe ish-presidenti i Kroacisë, miku i shqiptarëve, z. Stipe Mesiq.
Në punimet e këtij Kuvendi, Lidhja Shqiptare në Botë e shpalosi platformën si dhe nënvizoi arritjet e shoqatës në dekadat e fundit. Këtu u theksua roli i rëndësishëm në zhvillimin e etnisë e në promovimin e identitetit tonë etno-kulturor duke implementuar shumë projekte me emërues të përbashkët – integrimin gjithëshqiptar. Në mënyrë të veçantë u nënvizua roli i LShB për forcimin e lidhjeve të diasporës sonë me trojet etnike dhe sidomos, përfaqësimin e interesave të shqiptarëve të diasporës te organet shtetërore në trojet tona. Në këtë vijë, Presidenti Stipe Mesiq u shpreh se shqiptarët kudo që jetojnë në trojet e veta, duhet të punojnë sa më shumë në rrugën europiane. Ata duhet t’i standardizojnë dhe përafrojnë sa më shumë ligjet mes vendeve të veta pasi kjo do të ndihmonte që si komb, edhe pse në shtete të ndryshme, të funksionojnë të bashkuar.
Me këtë rast, në fjalën time përshëndetëse, për punën e bërë dhe arritjet i përgëzova drejtuesit e Lidhjes Shqiptare në Botë, kryetarin Kuzhnini si dhe të gjithë aktivistët e kësaj shoqate duke u uruar suksese në të ardhmen. Gjithashtu, këtu shpreha dhe mirënjohjet e mia për popullin mik kroat dhe në mënyrë të veçantë, mirënjohje për z. Stipe Mesiq i cili ka luajtur rol të rëndësishëm për çështjen tonë kombëtare.
Në përmbyllje të fjalës sime, i inkurajova të gjithë të pranishmit që pandalshëm të kontribuojmë për çështjen kombëtare sepse vetëm kjo është mënyra që ne si komb të zhvillohemi dhe ta arrijmë bashkimin. Ne nuk duhet vetëm t’i mbajmë sytë kah Europa, ne duhet vazhdimisht të punojmë që trojet tona t’i bëjmë ‘Europë’, vetëm kjo është mënyra që do të na shpie drejt bashkimit.INA