Listat e lekturave shkollore që janë propozuar të shërbejnë si material plotësues i obligueshëm dhe në kuadër të realizmit të lëndës së gjuhës dhe letërsie në arsimin fillor, ka vite që janë kërkuar të rinovohen nga ana e Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës, shkruan gazeta KOHA. E parë në këtë kontekst, vendimi për revidimin e listave të vjetra është pritur pozitivisht nëpër shkolla. Jehona që kishte vendimi përkatës i ministres Renata Deskovska ishte kryesisht e kënaqshme, ndërsa arsimtarët e letërsisë vetëm kanë nis të analizojnë listat e nxjerra në debat publik.

“Është padyshim një hap i mirë ky që MASH ka vendosur të rinovojë listat me titujt dhe autorët e teksteve shkollore. Madje, ishte dashur ta bëjnë këtë prej shumë vite përpara, pasi listat me të cilat është punuar 20 vitet e fundit nuk ofronin letërsi bashkëkohore dhe ishin larg kërkesave dhe shijeve artistike të nxënësve”, shprehet për gazetën KOHA, Sihana Nesimi, arsimtare e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shkollën Fillore “Hasan Prishtina” në Shkup.

Lajmi për revidimin e listave të lekturave në arsimin fillor, sipas saj ishte përhapur shpejtë nëpër shkolla dhe e njëjta ka qenë tema e diskutimit mes kolegëve të lëndës.

“Personalisht nuk pata mundësi të shoh në detaje se çfarë ofron konkretisht propozim lista dhe ku qëndron dallimi me listat e vjetra. Por, ajo që binte në sy ishte prezenca e titujve të autorëve shqiptarë dhe sasia relativisht e kënaqshme e lëkurave si nga letërsia shqipe ashtu edhe botërore për fëmijë”, shpjegon Nesimi. Sigurisht që me kolegët në shkollë, por edhe të shkollave tjera do të bëjmë analizën e propozim-listës që është në debat publik. Nëse kemi vërejtje dhe sugjerime për ndonjë ndryshim eventual, besoj se do ti dërgojmë të njëjtat në adresën e MASH-it. Cilësia e lekturave që duhet të punojmë me nxënësit është tepër e rëndësishme për nivelin e mësimit të gjuhës dhe letërsisë, sidomos për kultivimin e shijeve artistike dhe për nxitjen e dëshirës për lexim, plotëson më tej ajo.

Ngjashëm shprehet edhe Edmonda Ismaili, arsimtare në Shkollën Fillore “Zhivko Brajkoski” në Shkup. Sipas saj, “nuk është e kotë thënia me trego se çfarë lexon që të të them se cili je”. Por, përtej kësaj – Ismaili thotë se nxënësit kanë të drejtë të njohin letërsinë e gjuhës që i takojnë, të popujve që i rrethojnë dhe kuptohet kryeveprat e letërsisë botërore. Deri tani, nxënësit shqiptarë sipas listave që ishin në përdorim zyrtar mësonin nga letërsitë e tjerëve dhe shumë pak nga letërsia shqipe”, shprehet ajo. Prandaj, duhet të bëhet më e mira që nxënësve tu ofrohen lektura nga letërsi më e mirë për moshën e tyre shkollore, vëren Ismaili.

Nesimi, gjithashtu kujton se sa të privuar ishin nga listat e vjetruara nxënësit shqiptarë sa i takon të drejtës për njohje me letërsinë në gjuhën shqiptare.

“Kemi shkrimtarë shumë të mirë nga letërsia për fëmijë dhe ata e meritojnë të jenë pjesë e programeve mësimore dhe e lekturave që u jepet nxënësve të lexojnë”, shprehet Nesimi, ndërsa është optimiste se gjërat do të ndryshojnë për mirë. Përveç kategorisë së lekturave të detyrueshëm, arsimtarët do të kenë në dispozicion edhe kategorinë zgjedhore të lekturave, konkretisht të titujve për ët cilat mund të përcaktohen vetë arsimtarët. Por edhe për këtë do të duhet të ketë një koordinim mes shkollave në nivel komune apo më gjerë, me qëllim që nxënësit të jenë të barabartë në nivelin dhe llojin e letërsisë që do ta konsumojnë.