LETËR E HAPUR

Drejtuar:
Liridon Useinit – Kryetar i Forumit Rinor të Lëvizjes Besa dhe
Afan Elezit – Kryetar i Forumit Rinor Alternativa

Të dashur vëllezër,
Është nevojë ekzistenciale e popullit tonë e respektivisht rinisë që përfaqësojmë që vitin që po vjen t’a bëjmë vit të ndryshimit dhe kthimit të shpresës.

Unë jam i bindur që ky ndryshim do të vjen dhe duhet të vjen kryesisht nga ne, rinia. Mirëpo edhe nëse fitorja ndaj BDI-së mund të bëhet nga secila parti që ne përfaqësojmë veçmas, unë jam i mendimit se ndryshimi rrënjësorë i mënyrës së qeverisjes mund të bëhet vetëm nëse ne bashkojmë forcat si rini.

Nevoja për bashkim të Aleancës për Shqiptarët, Lëvizjes Besa dhe AlternAtivA-së në një koalicion fitues asnjëherë s’ka qenë më e madhe, sepse dëshira e popullit dhe domosdoshmëria për ndryshim nuk kanë qenë kurrë më të mëdha.

Unë kam besim se ju keni ndikim në vendimmarrje tek partitë tuaja dhe se mund ta përcjellni zërin e rinisë në organet vendimmarrëse të partive tuaja. Prandaj, me gjithë fuqinë që kam, u kisha lutur të bëni shtypje tek liderët tuaj që ky koalicion që secili i ri dhe secila e re e dëshiron TË BËHET.

Ne si Forum Rinor brenda partisë e kemi thënë atë që duam. Prandaj, në çdo kohë jemi të gatshëm që të ulemi së bashku me udhëheqësinë e partisë sonë dhe t’a bëjmë bashkimin. Le të përcaktohet ndarja e pushtetit dhe përgjegjësisë me sondazhe dhe le të merr kush sa ka mbështetje.

Unë e di që edhe ju e doni ndryshimin. Vëndojeni peshën që keni në dispozicion të popullit dhe ejani ta sjellim ndryshimin së bashku sepse rinia dhe ky popull nuk duron më!

Të fala,
Omer Ajdini
Kryetar i Forumit Rinor i Aleancës për Shqiptarët